Një pjesë e refugjatëve afganë të strehuar në Shëngjin që prej shtatorit të vitit të kaluar, janë ngritur sot në protestë.
Një nga pesë organizatat që financon qëndrimin e tyre në Shqipëri nuk ka paguar detyrimet e hotelit që prej janarit të këtij vit.
Në këto kushte afganët kërkojnë që të gjendet një zgjidhje, pasi mund të ngelin mes të katër rrugëve.
Gjithashtu në pankartat e tyre shkruhej “Jemi të harruar” duke bërë kështu një thirrje për ambasadën që të shpejtojnë procedurat e marrjes së vizave.
Administratori i resortit ku janë vendosur afganët, Bledar Shima tha se nuk kanë marrë asnjë lloj vendimi për t’i dëbuar nga resorti edhe pse kanë 6 muaj që nuk janë paguar detyrimet për ta.
Gjithashtu ai shtoi se deri tani nuk është gjetur asnjë zgjidhje me problemin dhe është kërkuar ndërhyrja e qeverisë shqiptare për zbatimin e kontratës.
Që prej shtatorit të vitit të kaluar në Shëngjin janë strehuar rreth 1600 shtetas afganë, ku 600 prej tyre kanë marrë vizën amerikane ose atë kanadeze dhe janë larguar nga vendi ynë, ndërsa 1000 prej tyre vijojnë të jenë në pritje për marrjen e vizës.
Top Channel