128 vite burg ka kërkuar Prokuroria e Posacme për 8 nga të pandehurit e operacionit ‘Shpirti’.

Gazetarja Anila Hoxha tha për Top Channel se SPAK ka dhënë sot pretencën për 8 nga 35 të arrestuarit e këtij operacioni, nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.

Konkretisht SPAK kërkon dënimin me 20 vite burg për Ilirjan Ducellarin, Mariglen Ducellari me 18 vite burg nga 15 vite janë kërkuar për Aurel Kalarin, Kleo Piro, Organ Ducellarin, Julian Bejdollarin, Rexhino Mucaj, Alban Koshi.

Kujtojmë se gjatë këtij operacioni u ndaluan edhe dy oficerë policie, të cilët, në kohën kur është kryer trafikimi i lëndës narkotike në vitin 2016, bënin pjesë në grupin e shoqërimit të ish-Ministrit të Brendshëm, që në atë kohë ishte Saimir Tahiri, edhe pse ky i fundit nuk u përmend me emër nga SPAK.

Ky operacion lidhet me valën e kultivimit dhe trafikimit masiv të kanabisit në Shqipëri para zgjedhjeve të vitit 2017 dhe hedh dritë për kriminalizimin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit deri në nivelet e saj më të larta në atë kohë.

Top Channel