Kjo është një nga aparaturat që ju bllokuan në kufi dy shtetasve britanikë njëri i moshës 46 vjeç dhe tjetri i moshës 61 vjeç. E raportuar prej tyre si radio amatore, kjo pajisje numërohet mes disa të tjerave që janë këqyrur mbasi dy shtetasit e huaj po dilnin nga Shqipëria përmes Aeroportit të Rinasit.

Burimet i thanë Top Channel se britanikët e marrë në pyetje kanë pohuar se në Angli ata punojnë si inxhinierë elektronikë dhe se hynë në vendin tonë për të qëndruar disa ditë si persona të apasionuar mbas komunikimit me radio amatore.

Por me gjithë këtë version paraprak do të jetë Policia Shkencore në Tiranë së bashku me Njësinë C që do konfirmojnë nëse vërtet bëhet fjalë për radio amatore apo çfarë pajisjesh janë dhe këto përgjigje më pas do t’i vendosen në dispozicion prokurorëve.

Vitet e fundit policia kufitare dhe agjencitë ligjzbatuese janë në alert jo vetëm për të parandaluar çështjet e spiunazhit por edhe për çështje terrorizmi.

Ndaj dy britanikët janë pyetur nëse kanë ndërhyrë apo jo në frekuencat shqiptare dhe nëse regjistrohet përmes tyre.

Por përgjigjja e tyre ka qenë mohuese duke shtuar se të dhjeta pajisjet nuk i kishin deklaruar mbasi nuk kishin informacion se ku duhet të paraqiteshin. Rezulton ndërkohë se atyre ju është bllokuar edhe një licencë.

Në kohë të ndryshme janë bllokuar pajisje të çuditshme si aparatura që gjurmon pajisjet përgjuese, por nëse këto të fundit janë apo jo të tilla apo janë thjesht radio amatore këtë do ta thotë Policia Shkencore.

Top Channel