Dy pneumoni përkeqësuan gjendjen shëndetësore të ish-Presidentit Bujar Nishani dhe një sëmundje autoimune rezultoi fatale për jetën e tij.

Mikja e të ndjerit Nishani tregon në “Top Story” për komunikimin e fundit që ka pasur me të dhe informacionet pesimiste që mori nga Berlini, ku ish-kreu i shtetit po trajtohej, aty ku dhe ndërroi jetë.

“Kaloi një komplikacion pas dy pneumonish, për një periudhë të shkurtër u shtrua në senatorium, pastaj në një nga spitalet me të mira në Europë, në Berliln. Situata u vështirësua ditët e fundit. Gjithë shërbimi që ka qenë në Gjermani ishte për qetësimin e mushkërive, që ishin përkeqësuar. U trajtua më pas për një sëmundje autoimmune, por rezultoi fatale.

Që pas pneumonisë së parë, nuk kam komunikuar me të, por kam qenë në kontakt me familjen”.

Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike kujton mbështetjen që Nishani i ka dhënë gjatë fundit të vitit të kaluar, kur ajo kandidonte për drejtimin e Partisë Demokratike. Qëndrimi i tij se kohës së Lulzim Bashës i kishte ardhur fundi në PD dhe nuk duhet të ishte më kryetar, e nxiti ish-Presidentin të bënte një punë të palodhur me shumë këmbëngulje, pavarësisht gjendjes së tij shëndetësore, shprehet Harxhi.

Kam qenë e afërt për shumë vite me të dhe me familjen e tij. Gjithçka u rikthye vetë me mbështetjen që Nishani më dha për të kandiduar për kreun e PD-së. Erdhi për të bashkëpunuar, për të ndihmuar partinë. Basha ia kishte kërkuar disa herë kthimin, Nishani kishte qenë i tërhequr, por erdhi kur mendoi se ne duhet të dilnim dhe të sfidonim atë që po ndodhte në PD.  

Më kujtohet ajo periudha dy javore e fushatës, që as fushatë nuk quhet. U kthyem nga Saranda në datën 30, dhe në 31 shkuam në Tropojë. Për dy javë kemi bërë 6.000 km. Ishte e lodhshme, por ai nuk ndalej. Ai e kuptonte që koha e Bashës kishte mbaruar, dhe krahas vullnetit për të më mbështetur mua, i shtohej dhe dëshira për të larguar Bashën”.

Sipas Harxhit, Nishani dëshironte rikthimin e Sali Berishës tek e djathta: “Ai mezi e priste rikthimin e doktorit në krye të PD. Mendonte se Berisha mund të bënte bashkimin e PD në këto momente”.

Bujar Nishani  ishte i pari që iu kundërvu Lulzim Bashës dhe kërkoi largimin e tij pas zgjedhjeve të 25 prillit. Largimi i parakohshëm nga jeta i Bujar Nishanit hidhëroi jo vetëm njerëzit pranë tij, por edhe kundërshtarët politik brenda dhe jashtë Partisë Demokratike.

Të mërkurën, në 1 qershor, arkmorti i presidentit të ndjerë Bujar Nishani, do të vendoset në sallën Skenderbeu në Presidencë, për homazhe për miqtë dhe dashamirësit duke nisur nga ora 10:00.

Të enjten e 2 qershorit në harkun kohor 10:00-12:00 do zhvillohen homazhe sipas ceremonialit dhe protokollit të shtetit. Arkmorti i president Nishanit do ta lërë Presidencën në ora 12:00 për t’ju drejtuar varrezave të Sharrës për ceremoninë e varrimit.

Top Channel