12 artistë nga vende të ndryshme të botës kanë shpenzuar një javë në një kamp arti në Gjirokastër.

Ata u frymëzuan nga Gjirokastra për të krijuar punët e tyre që përfshijnë elementë të dekorit tradicional, të zejeve, të artizanatit, të arkitekturës, bimësisë të historisë dhe personaliteteve me emër.

Ky kamp përveçse një ekspozim i potencialit dhe larmisë krijuese solli këndvështrime të reja sidomos në instalacion dhe punë që harmonizoheshin natyrshëm me mjedisin e ekspozimit në pazarin e Gjirokastrës.

Katerina vjen nga Ukraina. Ajo i është larguar përkohësisht luftës për të marrë pjesë në disa evente ndërkombëtare arti por thotë se ka lënë pas në Kiev djalin dhe nënën e saj. Gjirokastra nën këndvështrimin e saj erdhi me imazhin e përshkallëzimit të çative, një vepër që tërhoqi vëmendjen edhe për elementët abstraktë.

“Ky është një qytet me një arkitekturë të jashtëzakonshme. Unë u frymëzova nga guri, çatitë rrugët por ka diçka tek elementët e ndërtimit që është shumë potente. Edhe mënyra sesi banesat qëndrojnë në shpinë të njëra- tjetrës është e veçantë. Unë vij nga Kievi që tani është pak më i qetë krahasuar me zona të tjera ku ende luftohet. Kam djalin dhe nënën dhe lufta ka lënë trauma tek të gjithë. Është shumë e dhimbshme të humbasësh padrejtësisht miq dhe të afërm.”

Kampi realizohet në kuadër të Artech një program i Europës Krijuese dhe në edicionin e tij të dytë ishte një ftesë për të rinj krijues nga vende të ndryshme për tu bërë promotorë përmes artit ndërthurur me artizanatin, zejet dhe traditën lokale.

Idetë që u ekspozuan në qendrën historike të Gjirokastrës trajtuan artistikisht edhe aspekte të jetës së përditshme ku artistët punuan krahas artizanëve lokalë për të finalizuar punime ku kultura ndërvepron dhe edukon.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA