Goli i Nicolo Zaniolos në minutën e 32-të i dhuroi Romës avantazhin në finalen e parë të UEFA Conference League dhe verdhekuqtë luftuan fort në orën e mbetur dhe mbrojtën me sukses epërsinë falë paraqitjeve heroike nga Chris Smalling dhe Rui Patricio.
Të besuarit e Jose Mourinho-s u munduan të vrisnin kohën duke filluar nga minuta e 80′, një praktikë e cila rezultoi efikase me verdhekuqtë që shpërthyen në delir në momentin e vërshëllimës finale nga kryesori Istvan Kovacs. Roma doli triumfuese në kompeticionin e tretë për nga rëndësia në Evropë, sepse ata e kuptuan mjaft mirë se ishin në një finale kontinentale, një arritje shumë më e rëndësishme se e disa prej rivalëve të tyre në Seria A.
Suksesi ndaj Feyenoord përligj përpjekjet e Mourinhos për t’iu përkushtuar maksimalisht Conference League, duke e bërë në këtë mënyrë trajnerin e parë që fiton tre kompeticionet aktive Europiane. Më shumë se kaq, portugezi i ka fituar të pesta finalet Europiane që ka luajtur, mbi të gjitha skuadrat e tij finaliste nuk kanë pësuar gol në katër prej finaleve, teksa i vetmi rast që Mourinho ka fituar një trofe europian me gola të pësuar ka qenë UEFA Cup në 2003, që mbyllej në favorin e Portos 3-2 ndaj Celtic.
Lista e finaleve Europiane të Jose Mourinhos:
2002-03: UEFA Cup — Porto 3-2 Celtic
2003-04: Champions League — Porto 3-0 Monaco
2009-10: Champions League — Inter Milan 2-0 Bayern Munich
2016-17: Europa League — Manchester United 2-0 Ajax
2021-22: Europa Conference League — Roma 1-0 Feyenoord
“José Mourinho non è cambiato”, ishte kjo thirrja refren e tifozëve të Romës pas ndeshjes ndaj Feyenoord. Conference League është trofeu i 26-të në karrierën menaxheriale të Jose Mourinhos.
Aryseja më e logjikshme për eficiencën e Jose Mourinhos në finale lidhet ngushtë me fjalët e autorit Diego Torres në librin e tij biografik për portugezin, ‘The Special One’ : The Dark Side of Jose Mourinho. Sipas Torres, Mourinho i përgatit ndeshjet decizive me një plan që formohet nga gjashtë pika:
1. Ndeshja fitohet nga skuadra që bën më pak gabime
2. Në ndeshjet në transfertë, në vend që të provosh të jesh superior ndaj kundërshtarit, duhet t’i inkurajosh që të bëjnë gabime
3. Cilido ekip që ka topin në zotërim ka më shumë shanse që të gabojë
4. Cilido ekip që mban më pak zotërimin e topit, zvogëlon mundësitë e gabimeve
5. Kushdo që mban topin në zotërim ka më shumë frikë
6. Kushdo që mbrohet për një interval më të gjatë kohor, bëhet më i fortë
Roma e nisi edicionin 2021-22 me aspiratat për kualifikimin në Champions League dhe e mbylli në vend të 6-të, një pozicion më lart se në sezonin 2020-21. Është e vështirë të fitosh një kampionat dhe të konkurrosh në nivele të larta për nëntë muaj duke pritur të përfitosh nga gabimet e kundërshtarëve.
Në një sfidë finale, ku 90 minuta përcaktojnë gjithcka, metodat e Mourinhos asnjëherë nuk dështojnë. Feyenoord e përgatiti finalen e Conference League me synimin e vetëm për ta fituar. Roma udhëtoi drejt Tiranës, duke e ditur mjaft mirë që fillimisht duhet të evitonin humbjen.
Një ilustrim i thjeshtë për përgatitjen e Mourinhos për ndeshjet finale nëpërmjet statistikave:
– Në finalen e UEFA Cup në 2003, Porto kishte 56% të mbajtjes së topit dhe pësoi dy gola nga Celtic.
– Në finalen e Champions League ndaj Monaco një vit më vonë, mbajtja e topit në finale u reduktua në 45% dhe portugezët fituan 3-0.
– Në 2010, Interi i Jose Mourinhos zotëroi topin me vetëm 32% ndaj Bayernit, por sërish arriti të fitonte me dy gola diferencë.
– Një histori e ngjashme u përsërit edhe me Manchester United dhe Romën, në të dyja rastet ekipet e trajnerit portugez mbajtën në zotërim topin vetëm 33%, sigurisht duke triumfuar, madje duke ruajtur portën e paprekur.
Roma triumfoi të mërkurën sepse ata lejuan Feyenoord të kontrollonte topin në zonat më pak të rrezikshme të fushës dhe më pas u mbrojtën me soliditet në rastet kur holandezët futeshin në 30 metrat e fundit të fushës së lojës. Verdhekuqtë e interpretuan ndeshjen në një mënyrë të ngjashme me Manchester United në finalen e Europa League në 2017. Në të dyja ndeshjet, Mourinho u vendos përballë kundërshtarëve nga Holanda. Ne të dyja rastet, ekipet e Mourinhos kishte avantazhin në aspektin fizik.
Është një mënyrë loje që shihet shpesh në futbollin ndërkombëtar. Franca e Didier Deschamp ofroi pak bukuri me një skuadër të mbushur me yje që ia doli të fitojë Kupën e Botës në 2018. Portugalia e Fernanado Santos mposhti Francën organizatore në finalen e Europianit në 2016 duke aplikuar një metodë te ngjashme.
Para se Anglia të avanconte në finalen e Euro 2020, trajneri Gareth Southgate studioi mënyrën sesi kombëtaret fitonin turnetë madhorë dhe u mundua që një pragmatizëm të tillë ta instalonte edhe te kombëtarja e Tre Luanëve, një cinizëm që u demonstrua edhe në dy takimet e anglezëve ndaj Gjermanisë dhe Danimarkës (2-0; 2-1) ku triumfuan pa dhuruar shumë spektakël.
Finalet i përkasin një shkalle vështirësie më të lartë. Ata janë një kombinim i çuditshëm mes asaj çfarë ndodh në fushë, në psikologjinë e lojtarëve dhe trajnerëve dhe në lodhjen e lartë fizike. Mourinho ka sukses në finale sepse ai zgjedh gjithmonë t’i bëjë në mënyrën më të thjeshtë aspektet e mësipërme.
Jose Mourinho mund të shihej qartë duke i kërkuar lojtarëve të tij qetësi pas golit të realizuar nga Zaniolo, vetëm për të shpërthyer në lot në sinjalizimin e fundit.
Trajneri 58-vjeçar e dinte mjaft mirë momentin e duhur për t’u fokusuar në anën teknike gjatë një finaleje dhe kur duhej t’i dorëzohej emocioneve.
Në intervistën e tij pas ndeshjes, Mourinho demonstroi talentin e pashtershëm për të zgjuar shpirtin e jo-favoritëve në skuadrat e tij.
“Gjeja më e madhe rreth karrierës sime, është se përveç fitimit të Europa League me Manchester United, sukseset me Porton, Interin dhe Romën kanë qenë vërtetë speciale.”- shprehej Mourinho.
“Është një gjë të fitosh kur çdokush e pret, kur ke bërë investime për të pasur sukses, por është komplet ndryshe të fitosh kur trofeu kthehet në një gjë të paharrueshme dhe në të përjetshme. Kjo është vërtet speciale. Do të mbetet në historinë e Romës, por gjithashtu dhe në historinë time. Më thanë që vetëm unë, Sir Alex Ferguson dhe Giovanni Trapattoni kemi fituar trofe në tre dekada të ndryshme. Më duket vetja i vjetër, por është pozitive për karrierën time”, tha portugezi.
Karriera menaxheriale e Mourinhos është shumë e ndryshme me atë çfarë ishte në 2012-ën, por çfarë ka mbetur është talenti i tij për fitimin e finaleve Europiane…
Burimi: The Athletic
Përshtati: Alban Aga/ SUPER SPORT
Top Channel