Më lër të flas/ Sokol Balla kujton momentin më të vështirë të jetës së tij

27/05/2022 22:04

Drejtori i Informacionit në Top Channel, Sokol Balla i ftuar në “Më lër të flas” me moderatorët Romeo dhe Donald Veshaj rrëfeu momentin më të vështirë të jetës së tij.

Ai u shpreh se deri më tani vdekja e babait ishte momenti më i vështirë në jetë, duke përshkruar lidhjen e fortë që kishte me të.

“Momenti më i vështirë është kur jam ndarë me babanë tim, psikologjikisht është i ngarkuar, më përpara të vetmit që isha ndarë ishin gjyshërit e mia, daja im, pra le të themi tek babai është diçka tjetër. Kisha një marrëdhënie shumë të fortë me babanë, e kam edhe me mamanë, pro me babain na lidhte edhe televizioni, punonte prej 40 vitesh në televizion, kameraman, në një farë mënyre na lidhte, flisnim për gjëra të përbashkëta, diskutonim spektakle, televizionin.

Ishte një marrëdhënie organike, mënyra se si u shua kishte dramën e vet, ai momenti i fundit është ai momenti që për herë të parë ndeshesh me atë momentin që ti qëkur lind nuk e pranon, por e di që një moment do të vijë, që është vdekja. Kur shikon njeriun tënd të afërt, njeriu është shumë egoist nga natyra, thellë thellë në subkoshiencë mendon ‘I am next’. Deri në atë moment unë isha biri i dikujt dhe nga ai moment unë isha vetëm babai i dikujt tjetër. Është një dramë e fortë ai moment. Nuk e quaj momentin më të vështirë, por momenti më i rëndë i jetës deri tani ai është”, tha Balla.

Top Channel