Zlatan rrëfen vuajtjen e muajve të fundit: 20 injeksione në gju, në kokë kisha vetëm një mendim

26/05/2022 16:42

Zlatan Ibrahimoviç festoi titullin e Serisë A me Milanin pak ditë më parë, por së fundmi mori një laj të trishtë pasi iu desh të operohej në gju dhe tashmë koha e rikuperimit për sulmuesin vërtitet rreth shtatë apo tetë muaj.

Praktikisht, një vit i mbyllur për Zlatan, i cili nëse vendos të vijojë me futbollin e luajtur do të rikthehej në fushën e lojës në moshën 41-vjeçare.

Ndërkohë, pas ndërhyrjes kirurgjikale, suedezi ka folur edhe për sakrificat që i është dashur të durojë në këtë periudhë teksa thekson se ka zbritur në fushë edhe me ligamentin e dëmtuar.

Në gjashtë muajt e fundit, praktikisht kam luajtur pa ligamentin e gjurit të majtë. Gjurin e kam të fryrë prej gjashtë muajsh dhe në këto muaj vetëm në dhjetë raste ia kam dalë të stërvitem me skuadrën. Në gjashtë muaj kam kryer më shumë se 20 injeksione në muaj dhe e kam ulur fryrjen e gjurit vetëm në një rast në gjashtë muajt e fundit. Nuk më zinte gjumi prej dhimbjeve në gju, nuk kam vuajtur ndonjëherë kaq shumë si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Bëra të pamundurën dhe në kokën time kisha vetëm një mendim, t’i bëja shokët e skuadrës dhe trajnerin kampionë të Italisë sepse iu kisha bërë një premtim. Tashmë, kam një ligament të ri, por edhe një tjetër trofe”, u shpreh Ibrahimoviç./ SuperSport

Top Channel