Kryeprokurorja e Ukrainës, Iryna Venediktova tha për BBC se nga 100 deri në 200 raste të reja krime lufte nga rusët raportohen çdo ditë.
Ajo ka takuar Prokuroren e Përgjithshme të Britanisë, Suella Braverman, dhe zyrtarë të tjerë për të diskutuar se me çfarë mund të ndihmojë Mbretëria e Bashkuar dhe fuqitë e tjera perëndimore për të mbështetur procesin e hetimit.
“Sot kemi afërsisht 14,000 raste, vetëm për krime lufte, dhe afërsisht 6,000 raste të ndërlidhura. Kjo do të thotë se ne kemi një numër të madh precedentësh dhe çdo ditë kemi gjithnjë e më shumë”, tha Iryna Venediktova.
Venediktova tha se krimi më i zakonshëm i supozuar i luftës është bombardimi i ndërtesave civile, veçanërisht spitalet dhe shkollat. Në total, ajo tha se më shumë se një mijë ndërtesa shëndetësore dhe arsimore janë shkatërruar.
Ajo gjithashtu tha se civilët po vriten dhe se ka plaçkitje dhe përdhunime. Venediktova gjithashtu zbulon se kanë nisur të hetohen akuzat për gjenocid.
“Unë jam absolutisht dakord që ne në Ukrainë kemi gjenocid. Pse? Sepse ata, dua të them, komandantët e lartë rusë [ushtarakë] erdhën në [Ukrainë], për të shkatërruar [shtetin] ukrainas, për të vrarë të gjithë ukrainasit, dhe ata duan që kjo tokë [të jetë] si një pjesë [e] Federatës Ruse.”
Ajo pranon se do të jetë e vështirë që të hetohet gjenocidi në territorin e kontrolluar nga Rusia.
Gjithashtu shtoi se autoritetet ligjore të Ukrainës duhet të marrin në drejtim në ndjekjen penale të krimeve të luftës, sepse sipas saj “vetëm ne e kuptojmë tokën tonë, popullin tonë, tokën tonë”.
Por ajo pranon se Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë duhet të luajë një rol në ndjekjen penale të liderëve të lartë rusë për pushtimin, madje edhe Vladimir Putin.
“Ne të gjithë e kuptojmë se ky [është] një peshk i madh, është një peshk për drejtësinë ndërkombëtare”, shtoi Venediktova.
Top Channel