“U përdorën shkopinj, gurë e shishe qelqi”, zv/drejtori i Policisë së Shtetit flet për trazirat mes tifozëve: U plagosën 19 policë, njëri prej tyre me thikë

25/05/2022 10:51

Pak orë nga ndeshja finale e Conference League, zv/drejtori i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj komentoi trazirat e një ditë më parë, mes tifozëve italianë e holandezë.

Dervishaj tha se si pasojë e dhunës, 19 efektivë policie u plagosën, ndërsa për trajtim në spital kanë shkuar 10 shtetas, nga të cilët 5 prej tyre shqiptarë.

“Policia e Shtetit informon opinionin publik se gjatë mbrëmjes së datës 24 maj 2022, në disa zona të kryeqytetit, ka patur cenime të rendit publik midis grupeve të tifozëve që kanë ardhur për të mbështetur ekipet e tyre në Finalen e UEFA Conference League, midis ekipeve të Romës dhe Feyenoordit.

Sikurse kemi bërë me dije vazhdimisht këto ditë, në disa dalje publike të drejtuesve të Policisë së Shtetit, përsa i përket sigurisë, Policia ka marrë masa të plota jo vetëm për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje, por edhe për të gjitha aktivitetet që do të zhvillohen në vendin tonë, duke filluar nga Pikat e Kalimit Kufitar, në rrugëkalimet e ekipeve, të sportdashësve të tyre apo edhe për garantimin e rendit publik për qytetarët e tjerë në Tiranë, të cilët nuk kanë lidhje me këtë aktivitet sportiv etj., si dhe për garantimin e rendit e sigurisë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Gjatë mbrëmjes së djeshme, fillimisht një grup tifozësh të njërës nga skuadrat finaliste, kanë lëvizur në drejtim të stadiumit “Air Albania”, me qëllim për të tentuar një përplasje me një grup tifozësh të skuadrës tjetër finaliste.

Shërbimet e Policisë së Rendit Publik kanë tentuar të ndalojnë grupin e tifozëve të skuadrës Feyenoord, në rrugën “Mustafa Matohiti”, por ata në mënyrë të dhunshme kanë goditur punonjësit e Policisë, me shishe qelqi, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta.

Një grup tjetër i tifozëve të skuadrës së Romës kanë lëvizur në drejtim të urës pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe më pas edhe në afërsi të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, ku edhe atje janë përplasur me shërbimet e Policisë, duke përdorur gurë, shishe e shkopinj.

Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave finaliste, janë plagosur 19 punonjës të Policisë së Shtetit në krye të detyrës, njëri prej të cilëve është plagosur me armë të ftohtë (thikë), të cilëve u është dhënë ndihma e menjëhershme mjekësore, si dhe janë dëmtuar edhe katër automjete shërbimi të Policisë së Shtetit.

Përsa më sipër, në qendrat spitalore, gjatës natës së shkuar janë drejtuar për ndihmë mjekësore 10 shtetas, nga të cilët 5 shtetas shqiptarë, 3 italianë dhe 2 holandezë, të cilët pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë larguar.

Shërbimet e Policisë së Shtetit, në zbatim të kompetencave ligjore dhe bazuar në procedurat standarde të punës, fillimisht u kanë bërë thirrje grupimeve të tifozëve për të ndërprerë prishjen e rendit publik, përdorimin e dhunës dhe goditjen e punonjësve të Policisë të cilët kanë qenë në detyrë, duke i paralajmëruar se do të zbatohej ligji.

Në raport me sjelljen dhe kundërveprimin e grupimeve të tifozëve nga strukturat e Policisë së Shtetit, është ndërhyrë në mënyrë të përshkallëzuar dhe proporcionale, duke bërë të mundur shpërndarjen e tyre.” tha zv/drejtori i policisë.

Top Channel