Kush do ta pasojë? Meta për zgjedhjen e Presidentit: Parlamenti i di detyrimet e tij, do vazhdoj punën me përkushtim deri në 24 korrik

25/05/2022 11:31

Ilir Meta do të lirojë karrigen e Presidentit në 24 korrik, ndërkohë që kuvendi nuk ka ende asnjë emër për Presidentin e ri të Republikës.

Dy raundet e para për zgjedhjen e Presidentit kanë dështuar, po Meta, i pyetur nga gazetarët shprehet i bindur se “parlamenti i di detyrimet e tij dhe do të përmbushë me përgjegjësi maksimale brenda kohës së duhur”, ndërsa thekson se “do të vazhdoj ta bëj punën time me shumë përkushtim deri në 24 korrik”.

Pasi të heqë kostumin e Presidentit, a do të rikthehet Ilir Meta në partinë që ka themeluar vetë, në LSI, ashtu siç ka paralajmëruar më herët.

Meta nuk dha një përgjigje konkrete, por tha se është i mendimit që “opozita më e mira janë shqiptarët e ndershëm, ata thjesht kanë nevojë për t’u bashkuar dhe për çuar përpara vendin”.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh.

Për zgjedhjen e Presidentit të vendit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime (raunde), ndërkohë që dy raundet e para kanë dështuar. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave (84 vota) të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë.

Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave.

Top Channel