Votimi i diasporës/ Nikolla: Mund të arrihet në zgjedhjet e ardhshme! Ambasadorja Kim: Mbështesim procesin, forcon demokracinë

24/05/2022 10:46

Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit tonë mund të votojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, thotë kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla, në takimin që po mban këtë të martë KQZ në bashkëpunim me Prezencën e OSBE në Tiranë.

Në Konferencën Kombëtare të Nivelit të Lartë me temë “Votimet nga jashtë, koha është tani”, duke vënë në dukje faktin se Shqipëria ka fluks të lartë emigrantësh, Nikolla thotë se e drejta e lëvizjes duhet të jetë e lidhur me të drejtën e votës.

Çdo shetas që ka mbushur moshën 18 vjeç ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet dhe kjo e drejtë duhet të jetë e lidhur me të drejtën e lëvizjes së lirë. Shqipëria është një ndër vendet me fluks të lartë emigrimi”.

Nëse emigrantët fitojnë të drejtën e votës në vendin ku ata jetojnë dhe punojnë, sistemi politik do të ketë shumë përfitime, sipas kryetares së kuvendit.

Do të ketë vetëm përfitime nëse niveli i votuesve do të zgjerohet. Shqipëria ndikohet nga remitancat. Ka ardhur koha që masat të vijojnë me lehtësimin për përfshirjen e tyre, ka ardhur koha që çdo shtetas shqiptar të votojë, pavarësisht se ku ndodhet ditën e votimin. Kjo gjë nuk mund të arrihet në zgjedhjet e ardhshme lokale, por mund të arrihet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”.

“Është proces shumë i vështirë dhe sfidues”, thotë Nikolla, por thekson se është procesi i domosdoshëm.

Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim e pranishme në konferencë ritheksoi mbështetjen për këtë proces, si një element i rëndësishëm për forcimin  e demokracisë.

Koha është për të ndërmarrë këtë proces për t’i dhënë të drejtën e votës diasporës. Është i rëndësishëm sigurimi i votës së lirë, zgjedhjet janë një formë e demokracisë. SHBA mirëpret këtë mundësi. Inkurajojmë që në zgjedhjet e ardhshme të ketë standarde më të larta, të jenë zgjedhje të sigurta. Duke mbrojtur institucionet demokratike, mund të demonstrojmë forcën e demokracisë. Jemi më të fortë kur punojmë së bashku për të arritur këto qëllime”.

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Vincenzo Del Monaco, tha se “koha është tani për të punuar për përfshirjen e emigrantëve.

“Të gjithë shqiptarët meritojnë të japin votën e tyre për atë që do t’i përfaqësojë. Duhet të garantojë votën e lirë të shqiptarëve që jetojnë. Duhet të nisë me regjistrimin e votuesve në botë. Besimi është fjala kyçe, aty ku duhet të bazohet ky proces”.

Top Channel