Tensionet e para duket se kanë nisur 24 orë para ndeshjes së madhe që do të luhet në “Air Albania” mes Romës dhe Feyenoord.

Holandezët që kanë mbërritur në Shqipëri mbrëmjen e sotme, duket se nuk janë përmbajtur dhe kanë përfunduar në konflikt me një shqiptar. Si pasojë janë shoqëruar 8 shtetas holandezë.

Policia njofton se disa shtetas holandez (tifozë), në gjendje të dehur janë konfliktuar me shtetasin shqiptar A. G., 45 vjeç.

Gjatë konfliktit fizik është dëmtuar shtetasi A. G., dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Tifozët e Romës dhe Feyenoord kanë filluar prej ditësh që të vijnë në në Tiranë, ndërsa presin finalen e parë të Conference League, që do të luhet nesër, 25 maj, në orën 21:00 në “Air Albania”. Ata kanë pushtuar rrugët e kryeqytetit dhe mbushur baret, ndërsa këndojnë e festojnë së bashku. Tifozët kanë zgjedhur ta kalojnë këtë pasdite në pedonalen e Tiranës, ku janë ulur në bar-kafe dhe po konsumojnë birra. Disa prej tyre mbërritën sot në kryeqytet, e disa të tjerë erdhën pak ditë më parë, duke e shfrytëzuar vizitën e tyre edhe për të eksploruar vende si Kruja apo Durrësi.

Top Channel