Efektivi Ludjan Zaimi, 20-vjeçari që vrau me armë kolegun mbrëmjen e djeshme dhe efektivi Lutfi Gjyla që plagosi një qytetar, tashmë ndodhen në pranga dhe mbi ta rëndojnë vepra penale.

Këtë të mërkurë, Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë së Mbikëqyrjes, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas kryerjes së veprimeve të para hetimore njofton se ka bërë arrestimin e Ludjan Zaimit me detyrë oficer i patrullës përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë për kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, parashikuar nga neni 78 i Kodit Penal.

Arrestimi i punonjësit të policisë u krye pasi dje, në ambientet e brendshme të Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, ai ka qëlluar disa herë me armën e shërbimit pas një konflikti për motive të dobëta, punonjësin e policisë Çaush Saliasi, me detyrë oficer i patrullës përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 3 Tiranë, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital.

Grupi i posaçëm hetimor vijon kryerjen e veprimeve procedurale për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin me prova ligjore të veprimeve të autorit të veprës penale, ndërsa materialet hetimore do dërgohen pranë Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime te mëtejshme.

*Gjithashtu, Drejtoria Rajonale e AMP-së Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka referuar materialet proceduriale për arrestimin në flagrancë të punonjësit të policisë Inspektor Lutfi Gjyla, 48 vjeç, me detyrë trupë shërbimi në Repartin e N.SH. Vaqarr Tiranë

Arrestimi i tij u krye pasi dje në Sallën e Komandimit është njoftuar për të shtëna me armë në një Bar Kafe në rrugën “Llazi Miho”. Pas mbërritjes në vendngjarje dhe veprimeve të para hetimore ka rezultuar se ai ka qenë duke konsumuar pije alkoolike në një Bar Kafe dhe në gjendje të dehur, ka përdorur armën e tij të shërbimit duke qëlluar në drejtim Murteza Likës, në kohën që ishte i ulur në të njëjtën tavolinë me të.

Si pasojë, ai ka marrë dëmtim në këmbën e majtë dhe është dërguar menjëherë në spitalin ushtarak, ku ka marrë ndihmën mjekësore dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Për sa më sipër, efektivi u arrestua në flagrancë për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”,  parashikuar nga neni 88 i Kodit Penal.

Punonjësit e policisë të identifikuar si autorë të dyshuar të ngjarjeve të mësipërme, pas arrestimit të tyre në kushtet e flagrancës, aktualisht ndodhen në dhomat e sigurisë në DVP Tiranë.

Top Channel