Sistemi i referimit on line të pacientëve si për te mjeku specialist po ashtu për të marrë ilaçet në farmaci nëpërmjet sistemit e-receta është prezantuar me shume bujë nga qeveria Rama.
Ai u trombetua si një sistem që do zgjidhte përfundimisht radhët e gjata të pacientëve për një recetë apo vizitë te mjeku specialist.
Për këtë sistem janë dhënë në vitin 2021, 187 milion lekë nga buxheti i shtetit që të mirëmbahet , por kjo e fundit nuk ka ndodhur, pasi prej 1 jave sistemi nuk funksionon.
Agjencia Kombëtare e Shërbimit të Informacionit ka akorduar në muajin mars të vitit 2021 , për mirëmbajtjen e sistemit e-receta 195 milionë lekë. Mirëmbajtja duhet të ishte 24 mujore, ndërsa fondi ishte akorduar nga buxheti i shtetit për Fondin e Sigurimit të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor.
Në prill 2021 AKSHI ka finalizuar tenderin ku fituese ka rezultuar kompania Infosoft Systems me vlerë 187 milionë lekë të rinj pa TVSH.
Por pavarësisht këtyre pacientët kanë mbetur pa ilaçe prej 1 jave. Emisioni Fiks Fare solli qendra shëndetësore të kryeqytetit dhe qytetit të Beratit ku mjekët e familjes shprehen të shqetësuar se nuk i përgjigjen dot pacientit. Një mjek në Qendrën Shëndetësore nr.9 në kryeqytet thotë se situata është shumë keq prej një jave, por që nuk është për fajin e tyre.
Ndërkohë një tjetër mjeke në Qendrën Shëndetësore nr.8 thotë se është problem në të gjithë Shqipërinë.
Edhe në Qendrën Shëndetësore nr.7 sistemi nuk punon. Mjekja tregon se pacientët që e kanë marrë numrin ( kodin) i marrin ilaçet në farmaci, por ata që e kanë datën në ditën që sistemi nuk punon penalizohen sepse i duhet dhënë vula nga sistemi.
Gazetarët e Fiksit sollën këtë problematikë dhe nga 3 qendrat shëndetësore të Qytetit të Beratit, ku mjekët e familjes tregojnë problemin disa ditor të sistemit. “Ka 2-3 ditë që ka patur shumë problem, jam detyruar kam qëndruar edhe turn pasdite që të mos lë pacientët pa shërbim, pasi pasdite ndonjëherë është hapur” shprehet mjekja e Qendrës Shëndetësore nr.1
Ndërsa mjeku i Qendrës Shëndetësore nr.3 në Berat u shmang ta thoshte problemin në kamera, hapi sistemin në sy të gazetares, për t’i dëshmuar se ishte jashtë funksionit.
Të përfshirë në zinxhirin e këtij sistemi janë edhe farmacitë, në dy prej të cilave në kryeqytet gazetarët e Fiksit mësuan se as ata nuk hyjnë dot në sistem, dhe se pacientëve të përhershëm janë mundua t’u japin ilaçet pa lekë.
Për të gjitha këto problematika gazetarët kërkuan një përgjigje në Fondin e Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor. Ky i fundit përgjegjësinë ia adresoi Agjencisë Kombëtare të Shërbimit të Informacionit e cila ka bërë dhe tenderin.
Drejtoresha e AKSHI- t e quajti këtë që ka ndodhur një problem teknik i cili sipas saj do zgjidhet shumë shpejt, pasi po punohet me vëmendje maksimale.
Top Channel