Trofeu i Kupës së Botës mbërriti sot në në Tiranë, për tu ndalur më pas në 51 vende dhe territore. Për herë të parë, turneu do të vizitojë të 32 vendet që u kualifikuan për “Kupën e Botës FIFA”, duke frymëzuar tifozët në mbarë botën.

I pranishëm në në ceremoninë e mbërritjes së trofeut të turneut “FIFA World Cup”, kryebashkiaku Erion Veliaj dha mesazhin se sporti i bashkon njerëzit .

“Jam i lumtur që mikpresim në Tiranë Kupën e Botës. E paprekshme për të gjithë ne tokësorët, por e prekshme nga ata që janë triumfues. Unë besoj se kemi ambicie për të pasur sportin elitar, por mbi të gjitha kemi një ambicie për të pasur sportin komunitar. Sporti i bashkon njerëzit, është një hapësirë demokratike që na mëson karakter dhe me shpresë do frymëzohemi edhe ne që merremi me politikëbërje, që këtë praktikë të mirë që kemi filluar në Tiranë me terrenet sportive dhe palestrat e hapura, ta shtrijmë në gjithë vendin”, tha Veliaj.

Ambasadori i Turneut të Trofeut të “FIFA Ëorld Cup”, Gilberto Silva tha se ai është këtu për të mbështetur dhe për t’u dhënë shpresë të rinjve që ëndrrat e tyre mund të bëhen realitet.

“Uroj që kjo ndalesë këtu me trofeun, me të gjithë kohën që do të kemi këtu, shpresoj t’ju frymëzojë të gjithëve, gjeneratat e ardhshme në sport, në jetë, për t’i bërë ëndrrat e tyre realitet. Ne këtu jemi për t’ju mbështetur, për të dhënë më të mirën tonë për ju, me zemrën tonë, me shpirtin tonë, dhe shpresoj të gjithë ta shijoni sepse edhe ne do ta shijojmë shumë çdo minutë këtu”, tha ish-futbollisti Gilberto Silva.

Turneu i Trofeut të FIFA World Cup filloi me eventin e parë në Dubai, ku ish-fituesit e Kupës së Botës FIFA, Iker Casillas dhe Kaká u mblodhën së bashku për të dërguar Trofeun origjinal të Kupës së Botës FIFA në udhëtimin e tij rreth botë përpara kampionatit botëror.

Top Channel