Duke treguar historinë e ndryshimit të Washingtonit e viteve 80’, kryeministri Edi Rama në takimin e radhës e të shtunës këtë herë në Vlorë paralelizoi ndryshimin që i ka ndodhur qytetit bregdetar me investimin në Lungomare.

Flitet për Lungomaren në aspektin estetik, në aspektin e kënaqësisë që krijon ajp hapësirë por në fakt, përtej asaj që duket, në atë zonë kanë ndodhur dhe disa gjëra që nuk duken dhe gjëja më e rëndësishme është që njerëzit që kanë prona në atë zonë janë më të pasur sot. E nga ana tjetër, Vlora sot po hyn në një fazë ku nevoja për shtretër, pra për akomodim të atyre që vijnë do rritet në pikën e një krize shumë të madhe dhe kush ka shtretër në Vlorë dhe do ketë shtretër në Vlorë do vazhdojë të rrisë çmimet.

Ndryshimet do të jenë edhe më të ndjeshme me investimet e mëtejshme edhe për aeroportin e Vlorës vijoi fjalën Rama, që do të reflektohet me rritjen e numrit të turistëve, por kjo qasje duhet të mirëpritet  sipas tij edhe nga sipërmarrësit për të shtuar kapacitetet.

“Me ndërtimin e areoportit të Vlorës, ne do të ndërtojmë, ja u them këtë të gjithëve atyre që thonë ‘ne s’kemi bukë’, ne do të ndërtojmë një fabrikë të madhe buke sepse aeroportet sjellin “bukë” në kuptimin simbolik po e them se dhe ata që thonë “s’kemi bukë” nuk është se s’kanë bukë me të vërtetë.Ndërkohë që, siç përmenda Kumen më përpara po sjell shembullin e lumit të Vlorës. Lumi i Vlorës është një parajsë në tokë dhe jam i bindur që është një hapësirë e gjitha për t’u vënë në dispozicion të turizmit dhe jam i bindur që vlera e gjithë asaj pasurie atje do të rritet njësoj si vlera e pasurisë në Lungomare, në raport me investimet që do të bëhen për agroturizëm. Ashtu sikundër dhe investimet që do të bëhen për të prodhuar ushqimin e vendit që do t’i shërbejë gjithë infrastrukturës së mikpritjes në bregdet. për të ndërtuar një turizëm të suksesshëm nuk mjaftojnë shtretërit, nuk mjaftojnë muret e bukura, nuk mjaftojnë rrugët e bëra mirë, nuk mjaftojnë palmat dhe ndriçimi, por duhet kryesori që është: i zoti i vendit dhe i zoti i vendit është banori”.

Në konferencën ndërkombëtare “Drejt së Ardhmes: Qyteti im, Shtëpia ime” ishin të pranishëm edhe përfaqësues lokalë dhe drejtues bashkish të vendeve fqinje, ku u diskutua  krijimi i një platforme dialogu rajonale për vendimmarrjen në të ardhmen.

Top Channel