Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja në Sukth e 48-vjeçarit Arben Mërkuri Ismaili një natë më parë.
Sipas gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat, nga kamerat e sigurisë është vërejtur se autorët të cilët lëviznin me një fuoristradë tip “ Benz” kanë ardhur nga Manza dhe pasi kryen krimin u larguan në drejtim të autostradës Tiranë-Durrës ku kanë humbur gjurmët.
Në momentin e ngjarjes 48 vjeçari Arben Ismaili Merkuri, i njohur me pseudonimin “Maneci” ka qenë në një objekt ngjitur me rrugën ku po punonte për ta shndërruar në dyqan.
Dyshohet se një nga autorët është futur në brendësi të objektit dhe ka qëlluar me breshëri në drejtim të tij duke e plagosur rëndë. Më pas ai ndërroi jetë ne spital.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur gjashtë gëzhoja. Pista kryesore e hetimit është e orientuar drejt të shkuarës së viktimës.
Kush është Arben Mërkuri Ismaili?
Arben Mërkuri rezulton i dyshuar dhe hetuar për disa krime të rënda, por drejtësia nuk ka mundur ta vërë pas hekurave. Mërkuri njihet edhe për lidhjen që ka me Pëllumb Muharremin i njohur me pseudonimin ‘Rrumi’ i cilësuar si i ‘forti i Shijakut’.
Mërkuri e Muharremi së bashku me një person tjetër u vunë në pranga të policisë së Tiranës pasi dyshohet se në shtator të vitit 2016 dhunuan biznesmenin libanez, Faad Mitri.
Në nëntor të vitit 2019 Pëllumb Muharremi ishte në shoqëri të prokurorit tashmë të shkarkuar nga Vetingu, Arjan Ndoja kur këtij të fundit iu bë një atentat në mbikalimin e Shkozetit.
Top Channel