Ervis Martinaj

Sende të paligjshme u gjetën në shtëpinë e një prej emrave më të kërkuar të drejtësisë shqiptare, Ervis Martinaj, gjatë aksionit të SPAK.

Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha në hotelin e Martinajt janë gjetur sende të paligjshme si maska, të cilat mund të jenë përdorur në aktet kriminale për të cilat akuzohet.

“Forcat kanë mundur të hyjnë në shtëpinë e Ervis Martinajt,  por nuk e kanë gjetur për të ekzekutuar masën e sigurisë. Sikurse thonë burime të sigurta, janë gjetur sende të kundraligjshme, kurse ai është shpallur në kërkim”, tha Hoxha.

Prokuroria e Posaçme, SPAK ndërmori aksion në disa qytete të vendit, pas 32 urdhër-arresteve të lëshuara nga GJKKO.

Aksioni është zhvilluar në Tiranë, Durrës, Lezhë dhe Elbasan. Sipas informacioneve, 13 urdhër-arreste janë vetëm në Elbasan, një prej qyteteve më të nxehta të krimit në vend.

Janë në kërkim personazhe të njohur të botës së krimit si Ervis Martinaj në Lezhë, Suel Çela dhe Kamber Mehja në Elbasan, apo  Fatos Gosa në Peqin. Disa prej personave në listën e SPAK tashmë janë në burg.

Top Channel