Kush e përdori Palushin? Mister i informatorit që ‘tregoi’ për armën me të cilën u vra Emiljano Ramazani

19/05/2022 15:32

Leonard Palushi ish-shefi i krimeve në komisariatin e Lezhës, është një prej të arrestuarëve në operacionin e sotëm të SPAK, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Gazetarja Anila Hoxha, zbardh për Top Channel implikimin e zyrtarit të policisë nga një informator i besuar i tij, emrin e të cilit ai nuk e ka treguar edhe pse është pyetur. Informatori, emrin e të cilit Palushi nuk pranon ta thotë, i ka thënë atij se në servisin e familjes Manhasa ndodhet arma me të cilin u ekzekutua Emiljano Ramazani, ngjarje kjo e ndodhur në korrik 2020.

Sakaq, në dëshminë e tij, Nuredin Dumani e implikon ish shefin e krimeve, se informatori për të cilin flet Palushi është një person që kishte interes të përplaste dy familjet Manhasa  dhe Ramazani.

Nga burimet e SPAK që thuhet se organizoi operacionin në servisin e Albert dhe Seit Manhasa, babë e bir, bazuar pikërisht në informacionet e informatorit të tij ‘anonim’.

Si ndodhi vrasja e Emiljano Ramazanit:

Emiljano Ramazani, babai i katër fëmijëve u ekzekutua në korrik të 2020 me pesë plumba në makinën e tij. Viktima mësohet se po hynte në mes të dy pallateve për të parkuar mjetin e tij, ndërsa një nga autorët ka parkuar mjetin buzë rrugës dhe tjetri ka zbritur dhe me hap të shpejtë ka arritur ta qëllojë me pesë plumba viktimën në momentin që ky i fundit ishte duke parkuar. Më pas, autorët janë larguar duke djegur makinën në një zonë të pyllëzuar, në Papër. Policia gjeti në mjetin e djegur edhe dy armë të tipit kallashnikov.

Top Channel