Tentoi të trafikonte 190 mijë fara kanabisi në ishullin Samos, arrestohet 56-vjeçari në Gjirokastër

16/05/2022 16:09

Një 56-vjeçar austriak është arrestuar ditën e sotme në Gjirokastër pasi tentoi të trafikonte fara të bimës narkotike cannabis sativa dhe pajisje të ndryshme me destinacion final ishullin Samos.

Policia ka bërë të mundur sekuestrimin e rreth 190 000 (njëqind e nëntëdhjetë mijë) fara të dyshuara narkotike cannabis sativa, pajisje që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, një sasi lënde e dyshuar narkotike, një shumë parash dhe një automjet.

56-vjeçari me iniciale tW. S. u arrestua pasi në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavije, në dalje të RSH-së, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në automjetin e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 190 000 (njëqind e nëntëdhjetë mijë) fara të dyshuara narkotike cannabis sativa, 57 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 250 ml vaj i dyshuar cannabis sativa, bimë e dyshuar narkotike e kultivuar në vazo, pajisje për rritjen e energjisë elektrike, sende të tjera që përdoren për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura dhe 4995 euro.

Nga hetimet paraprake rezulton se ky shtetas do t’i trafikonte këto sende të kundërligjshme për në ishullin Samos.

Materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i lëndëve narkotike”.

Top Channel