Kosova godet Rusinë e Bjellorusinë: Masa të reja më të rrepta, ne në krah të SHBA

16/05/2022 18:18

Qeveria e Kosovës shtoi sot listën e sanksioneve kundër Rusisë, në përputhje me masat e marra nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian ndaj Moskës që prej fillimit të agresionit të saj kundër Ukrainës në 24 shkurt.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Kreshnik Ahmeti, pohoi në mbledhjen e ekzekutivit se Kosova është rreshtuar krah politikave të SHBA-së dhe BE-së për sanksionet.

Në paketën e sanksioneve janë përfshirë dhe masa ndaj Bjellorusisë. Sanksionet e Kosovës parashikojnë ngrirje të aseteve të të sanksionuarve në territorin e Kosovës, ndalim të operimit në tregun financiar kosovar, ndalim-udhëtimi, si dhe bllokim të qasjes në fonde për personat e shënjestruar.

Përveç këtyre sanksioneve, Qeveria e Kosovës është pajtuar edhe për masa kufizuese ndaj grupit Wagner, i cili përbëhet nga mercenarë me bazë në Rusi.

“Individët e listuar nga BE-ja janë të përfshirë në abuzime serioze në të drejtat e njeriut, duke përfshirë torturat dhe ekzekutime jashtëgjyqësore”, ka thënë Ahmeti, duke iu referuar individëve të lidhur me grupin Wagner, që janë sanksionuar nga blloku europian.

Kremlini pretendon se Wagner është grup privat, por ai konsiderohet i afërt me presidentin rus, Vladimir Putin.

Mercenarët e këtij grupi dyshohen për abuzime në Mali, Libi dhe Siri. Me përjashtim të Serbisë, Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor i kanë mbështetur pa hezitim sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë.

Top Channel