Temperaturat e larta sjellin dyndje qytetarësh në bregdet/ Turistë të shumtë nga rajoni dhe vendet e BE-së

15/05/2022 11:28

Temperaturat e larta kanë sjellë dyndje të qytetarëve në bregdetin e Durrësit këtë të diel.

Qytetarët nuk kanë nguruar që të shijojnë rrezet e diellit  dhe rërën e nxehtë me hapjen e sezonit për 2022-shin.

Kjo është fundjava e parë që ka sjellë masivitet frekuentimi. Janë të pakta shezllonet që janë vendosur, ndërsa pushuesit kanë preferuar që të qëndrojnë në rërë.

Sipas strukturave hoteliere, disa prej pushuesve nga Kosova nuk kanë mundur të gjejnë vende, pasi nuk kishin rezervuar më parë. Edhe ndeshja e Conference League që do të mbahet më 25 maj do të sjellë dyndje të pushuesve në vend.

Italianët kanë mbërritur më parë dhe po shijojnë një verë hershme në vendin tonë.

Kujtojmë se e gjithë java është mbizotëruar nga temperatura të larta, ndërsa sot termometri pritet të prekë shifrën 27 gradë Celsius.

 

 

Top Channel