Prej kohësh në të gjithë operatorët  kyç organizator të finales së madhe të Conference League në vendin tonë janë vënë në punë në bashkëpunim me përfaqësuesit e UEFA- s për të përmbushur në mënyrë korrekte detyrimet respektive për një aktivitet madhor si ky.

Dhe padyshim mirëseardhja në vendin tonë për të gjithë aktorët e finales fillon nga Aeroporti Ndërkombëtarë Nënë Tereza. Drejtori i përgjithshëm i aeroportit tregon për Top Channel masat e marra për atë ditë.

”Aeroporti ndërkombëtarë i Tiranës është gati të presë fluksin e madh të njerëzve që do të vijnë për finalen e 25 majit, si sa i përket trafikut ajror, por edhe atij rrugor. Sot kanë mbërritur përfaqësues të skuadrës së Romës në aeroport për të diskutuar detajet ndërkohë që pasdite do të vijnë edhe përfaqësuesit e Feynoord-it. Do të kemi rreth 25 mijë persona që do t’i shtohen fluksit të lëvizjeve në 3 ditët e aktiviteti, përpara ditën e ndeshjes dhe pas saj. Vetë më 25 maj, do të kemi shtesë edhe 25 chartera që do të vijnë këtu më shumë se zakonisht”, tha  Costandin von Albensleben, drejtori i përgjithshëm TIA-s.

A i ka kapacitetet e nevojshme ky aeroport për të pritur një fluks të tillë lëvizjesh?

 “Ne do të kemi një shtim të personelit për të shtuar edhe kapacitetin përpunues të pasagjerëve dhe dua të kujtoj këtu që ne jemi një aeroport 24 orësh. Do të mbulojmë çdo gjë që do të kenë nevojë për të evituar radhët e gjata. Për të qenë të sinqertë do të kemi disa vështirësi por ne jemi të ndërgjegjshëm për këtë gjë dhe i kemi marrë masat jo vetëm për pasagjerët por edhe për hapësirën që do të nevojitet për të parkuar avionët që do të vijnë”, tha Costandin von Albensleben, drejtori i përgjithshëm TIA-s.

Pra mund të themi se jemi gati për ditën e madhe të këtij aktiviteti në Tiranë?

“Mund të them që jemi gati, do të jetë një ditë intensive, jam shumë i kënaqur për këtë aktivitet sportiv që do të presë Shqipëria me dy skuadra nga më të mëdhatë europiane si Roma dhe Feynordi, do të jetë një ditë e madhe dhe ne do të ndihmojmë që çdo gjë të funksionojë”, tha Costandin von Albensleben, drejtori i përgjithshëm TIA-s.

Top Channel