Hetim për krimet ruse/ Këshilli i të drejtave të njeriut miraton rezolutën

12/05/2022 19:35

Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut miratoi një rezolutë për ngritjen e një hetimi mbi akuzat për abuzime nga forcat ruse në Ukrainë. 

Këshilli nga  i cili Rusia u pezullua më 7 prill për tu zëvendësuar pak ditë më parë me Çekinë, u mblodh në një seancë urgjente në Gjenevë ku dëgjoi akuzat për krime lufte duke përfshirë ekzekutime të civilëve, përdhunime, tortura dhe zhdukje me forcë të tyre .

Rezoluta u miratua me 33 anëtarë pro, 12 abstenime dhe dy vota kundër (nga Kina dhe Eritrea).

Miratimi i rezolutës vjen një kohë, kur një video e konfirmuar nga CNN  dhe që tani është marrë si dëshmi lufte, tregon se si dy ushtarë rus kanë qëlluar pas shpine dy civilë të paarmatosur në periferi të kryeqytetit ukrainas të Kievit. Një akt i tillë bie ndesh me rregullat e luftës, të cilat ndalojnë shënjestrimin e civilëve.

CNN thotë se njëri prej viktimave ishte pronari i konçesionarit të automjeteve që u grabit, dhe tjetri ishte Leonid Oleksiyovych Plyats, një 68-vjeçar që punonte atje si rojë. Në video, civilët ukrainas shihen duke biseduar me ushtarët rusë, disa minuta para se të qëllohen nga pas dhe të vriten.

Po ashtu të mërkurën rusët vranë tre civilë të tjerë pasi sulmuan me raketa një shkollë në rajonin e Chernihiv,ku 12 të tjerë u plagosën. Zonja e parë e Ukrainës tha se sulmi është i qëllimshëm. ‘Rusët, të cilët pretendojnë se sulmojnë vetëm objektet ushtarake, po bëjnë luftë kundër fëmijëve tanë.”, tha ajo.

Skena të tjera që janë një vend krimi për institucionet ukrainase dhe ndërkombëtare të drejtësisë janë edhe qyteti i Bucha, ku me qindra civilë u gjetën të qëlluar për vdekje pas koke, me duar të lidhura, si dhe qyteti i Mariupol, i sulmuar egërsisht nga rusët  të cilët kanë shkatërruar më shumë se 90 përqind të tij.

Top Channel