De Bruyne i pangopur: Duhet të shënoja 5 gola! Reali? Mos ma kujtoni, e humba fare

12/05/2022 10:08

Kevin De Bruyne mori përdore Manchester City përballë Wolves, kundërshtar të cilit i shënoi katër gola. Ekipi i Pep Guardiolës mposhti 1-5 “Ujqit” dhe ka nevojë për katër pikë në dy ndeshjet e fundit për t’u shpallur kampione e Anglisë për herë të tetë në histori dhe të katërt në pesë vitet e fundit.

Ylli belg realizoi “poker” golash, dhe tani numëron 15 gola në Premier League (rekord personal) duke qenë golashënuesi më i mirë i Man City. 84 gola dhe 116 asiste për De Bruyne, i cili është përfshirë në 200 gola gjatë 305 ndeshjeve me “Cityzens”, teksa bie në sy fakti që asnjë gol s’e ka shënuar me kokë!

Në pjesën e parë i mjaftuan 24 minuta lojë për të ndëshkuar tre herë Wolves, duke regjistruar tripletën e tretë më të shpejtë në historinë e Premier League pas Sadio Mane të Liverpoolit kundër Aston Villa në 2016 (16 minuta) dhe Dwight Yorke të United ndaj Arsenalit në vitin 2001 (22 minuta).

Është gjithmonë emocion i veçantë të shënosh katër gola, por duhet të bëja pesë, edhe një më shumë! E kontrolluam shumë mirë ndeshjen, Wolves u përpoq vetëm të mbrohej, mund të kishim shënuar edhe disa gola të tjerë”, deklaroi 30-vjeçari, i cili iu rikthye edhe njëherë eliminimit kundër Real Madrid në gjysmëfinalet e Champions League.

Ishin pesë minuta të çmendura, e kam të vështirë t’i shpjegoj. Nuk është se luajtëm keq, ishin pesë minuta që nuk mund t’i shpjegoj dot si futbollist. E humba kontrollin kur isha në pankinë. Tronditje e madhe, ti përjeton një ndjenjë aspak të mirë, por çfarë ndodhi, ndodhi! Ka kaluar”, theksoi De Bruyne.

Top Channel