Kjo është situata e përditshme në rrethrrotullimin e Zogut të zi, por edhe në vendkalime të tjera këmbësorësh të cilët nuk janë të rregulluar me semafor. Njerëz e makina ndajnë të njëjtën rrugë duke pretenduar se secili prej tyre ka përparësi për të kaluar. 

Jo rrallë herë kalimi i këmbësorëve njëri pas tjetrit në këto vija të bardha të cilat sinjalizohen vetëm me një tabelë krijon trafik të rënduar mjetesh sidomos në orët me më shumë fluks.

Edhe në sheshin Willson, për shkak të këmbësorëve që kalojnë nga një trotuar në tjetrin drejtuesve të mjeteve u duhet të presin derisa rruga të zbrazet për të vazhduar lëvizjen.

E njëjta situatë është dhe tek rrethrrotullimi në krah të Fakultetit Ekonomik, ku fluksi i studentëve që kalojnë rrugën shpesh herë paralizon qarkullimin e mjeteve.

Eksperti i Sigurisë Rrugore Mamir Hodo vëren se në Tiranë vijat e bardha janë vendosur pa kriter dhe thotë se ndërprerja e shpeshtë e rrugës nga ato jep efekte negative si për këmbësorët ashtu edhe për drejtuesit e mjeteve.

Sipas tij për të rritur sigurinë në rrugë duhet të shmangen pikat e konfliktit ku edhe makina dhe këmbësorët kanë të njëjtën hapësirë për të kaluar.

Top Channel