Ukraina kalon në finalen e Eurovision: Do vija edhe me rrugë të shkatërruara

11/05/2022 13:59

“Gjithmonë do të vij tek ti, edhe me rrugë të shkatërruara”, këngëtari ukrainas Oleh Psiuk për herë të parë i këndoi këto vargje si një odë për të ëmën, por kur grupi i tij, Kalush Orchestra performoi të martën në Eurovizion, teksti i këngës së tyre rezonoi ndryshe.

Tani, “Stefania” u kualifikuar për në finale, e madje konsiderohet favorite për vendin e parë të konkurrimit më të gjatë televiziv muzikor dhe më popullori në Europë, i cili tërheq votat e publikut, kryesisht nga kontinenti i vjetër.

Siç Psiuh do të rrëfente dhe vetë për Associated Press, teksti i shkruar përpara luftës ka marrë kuptim tjetër, dhe tani shumë njerëz kanë filluar ta shohin atë si një dedikim për Ukrainën, për nënën  në kuptimin e vendit.

Grupi që ndërthur folkun tradicional dhe hip-hopin, kaloi në finalen e madhe të konkursit në raundin e parë të gjysmëfinaleve në Torino të Italisë, ndërsa kënga e tyre ka qenë më e klikuara në Youtube. Për 27-vjeçarin Psiuk, kënga është shndërruar në një himn për vendin e tij.

“Nëse fitojmë, do të jetë një mundësi tjetër për t’i treguar botës Ukrainën, për t’i kujtuar njerëzve Ukrainën e vërtetë dhe për të rritur moralin në të gjithë vendin”, tha ai për BBC.

Top Channel