Ujësjellësit nëpër 61 bashkitë e vendit do t’i nënshtrohen një reforme të thellë. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë pas kritikës së fortë që i bëri këtyre institucioneve tetorin e vitit të kaluar tashmë ka vendosur që t’i centralizojë.

Në këto kushte, me Vendim të Këshillit të Ministrave, Ujësjellësit do të mblidhen në 15 shoqëri, ku aksioner kryesor do të jetë ministria e infrastrukturës me 51% dhe më pas Bashkitë. Sipas VKM përcaktohet që dy ose më shumë bashki të një qarku apo të qarqeve të ndryshme do duhet të lidhin marrëveshje me njëra-tjetrën dhe të krijojnë ato që do të duhen Shoqëri me Kompetenca të Përbashkëta.

Sektori i ujësjellësit është një histori dështimi. Këto kompani që janë nën varësinë e Bashkive përveç se nuk arrijnë të furnizojnë me 24 orë ujë qytetet dhe fshatrat e vendit, kanë humbje të mëdha, që nuk faturohen dhe kanë krijuar 11.5 miliardë lekë detyrime të prapambetura me faturat e energjisë elektrike.

Në raportimin vjetor të Entit Rregullator të Ujit parashtrohej edhe kërkesa për rritjen e tarifës për shërbimin e ujit, pasi nga 58 shoqëri vetëm 12 prej tyre mbulonin humbjet dhe shkak kryesor për këtë cilësohej rritja e çmimit të energjisë, si edhe numri i lartë i punësimeve abuzive dhe me karakter politik, që nuk sillte produktivitet.

Top Channel