Draghi: SHBA-ja dhe Rusia duhet të zhvillojnë bisedime për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

11/05/2022 18:20

Kryeministri italian Mario Draghi, tha ditën e sotme se SHBA-ja dhe Rusia duhet të zhvillojnë bisedime me njëra-tjetrën për ti dhënë fund luftimeve në Ukrainë.

Një ditë pas takimit me Joe Biden, Draghi tha se gjatë bisedimeve mes tyre u kuptua se rruga drejt paqes është e ndërlikuar, por tha se të gjithë duhet të bëjnë përpjekje për të ndihmuar Rusinë dhe Ukrainën të gjejnë një zgjidhje.

“Ka kaq shumë mundësi, por para se të arrijmë në atë pikë, duhet bërë një përpjekje dhe është një përpjekje që të gjithë aleatët, veçanërisht Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, duhet të bëjnë për t’u ulur në një tryezë. ”, tha Draghi.

Kryeministri italian shtoi se ai ka besim se kërkesa e Moskës që blerësit evropianë të paguajnë për gazin rus në rubla nuk do të çojë në një ndërprerje të furnizimeve.

Komisioni Evropian ka paralajmëruar se përmbushja e kërkesës mund të shkelë sanksionet e BE-së, por Draghi tha se ishte një “zonë gri”.

“Në fakt, shumica e importuesve të gazit tashmë kanë hapur llogaritë e tyre në rubla me Gazprom,” tha ai.

Top Channel