Nuk është vetëm korrupsioni i rrezikshëm për gjyqësorin  shqiptar. Në ditën e saj, kur drejtësia  është përgjysmuar nga vettingu, babai i kriminologjise shqiptare profesor Ismet Elezi , ngre shqetësimin për varësinë e saj nga politika.

“Nuk kemi vetëm korrupsion në krimin e organizuar. Në drejtësinë tonë janë shumë problem edhe ndërhyrjet politike, janë shumë të dëmshme. Se nuk bëhet harmonizimi i politikës me drejtësinë me kulturën politike por jepet urdhër, vazhdon e kaluar në forma të tjera por është vijimësi sepse politika ndërhyn, jep urdhra, kërkon ta nënshtrojë drejtësinë”– tha Ismet Elezi.

Gjatë intervistës për Top Channel korifeu i jurisprudences shqiptare këshillon gjyqtarët.

“Ata gjyqtarë që e shohin që politikanët japin urdhër nuk duhet të përulen.”– tha ai.

Dekretimi i “Kanunit të zhurisë “ si akti i parë juridik , prej 1913 I dha drejtësisë shqiptare si ditë të saj 10 majin. Një drejtësi prej të cilës çdokush pret paanësi, pavarësi, mos ndikim dhe përmbi gjithçka drejtësi me ligj e prova. Por në kohë vettingu që hapi seancën e parë në 2018, kur  drejtësia është përgjysmuar , si është ky 10 maj  per njerëzit e drejtësisë?

Dhjetë maji e gjen dhe një ditë të vështirë edhe për të festuar arritjet që kemi bërë deri më tani” – tha Naureda Llagami, kreu i KLGJ.

“Nuk do të zgjasë shumë, sepse reforma kërkon vitet e saj që të arrijë aty ku duhet. Në qoftë se nuk arrin të plotësojë të gjithë vitet nuk do të ketë funksionin e saj.”Tha Sokol Sadushaj zv kryetar i Gjykatës së Lartë.

Por çfarë mendojnë dy nga ekspertët e lartë të kësaj reforme 6 vjet nga ndryshimet kushtetuese?

“E ka tejkaluar dizajnin e projektuesit që do të thotë që numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë lënë sistemin është më i lartë se ai që mendohej që duhet të ishte”- tha Artan Hoxha.

“Natyrisht drejtësia është funksionale. Gjithmonë ka vend për të përmirësuar punën e institucioneve të saj.”-tha Aurela Anastasi

Nën hijet e vettingut që po zgjatet, në takimin e  thirrur nga gjykata e lartë, Hoxha bën bilancin:

“Është larguar gati gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve, gjë që bën që numri i çështjeve të jetë shumë i lartë për ata që janë ekzistues dhe për qytetarin e thjeshtë, reforma në drejtësi është rezultat konkret, as doktrinë as jurisprudencë” tha Artan Hoxha.

Top Channel