Një i ri në Georgia, SHBA është akuzuar me vrasjen e bebes së tij tetë-muajshe, e cila u la e mbyllur në makinën e nxehtë, kur babai hyri në stacionin e policisë për të marrë armën e tij por u arrestua.
Pasditen e të martës 20-vjeçari Davied Japez Mcorry Whatley, shkoi në stacionin e policisë së Snellville për të kërkuar armën e tij me leje që ishte lënë me departamentin. Por duke kryer kontrollin e të dhënave – praktika që kryhet për të ndaluar që personat me precedentë të mbajnë armë – oficerët lëshuan mandat arresti ndaj tij, për shkelje të lirisë me kusht.
Sipas oficerëve, Whatley nuk kishte përmendur asnjëherë se kishte lënë beben e tij Nova në makinë teksa arrestohej.
“Ai nuk bëri asnjë deklaratë mbi faktin se kishte lënë të bijën në makinën dy ndërtesa më larg stacionit”, tha në seancë detektivi Jeff Manley.
Por familja e Whatley thotë se i arrestuari i ishte lutur oficerëve të kontrollonin për bijën e tij, qe e kishte lene ne makinë.
“Nuk është si thonë ata, ata duhej vetëm të dëgjonin, por mendonin se ai po gënjente”, tha Leticia Padilla, gjyshja e fëmijës së ndjerë, për rrjetin WSB-TV.
Ajo shtoi se oficerët e kishin siguruar se dikush do të shkonte te fëmija. Zonja Padilla tha më tej se djali i saj i kishte telefonuar një miku që e kishte kontaktuar, për t’i thënë se Nova e shkretë ishte në makinë.
Rreth shtatë orë pas arrestimit të Whatley, gjyshja kontaktoi me qendrën mjekësore ku ndodhej Nova, e cila ishte shpallur e vdekur.
“Ata mund të thonë çfarë të duan. U duhet të mbulojnë gjurmët e tyre,” tha Padilla për rrjetin televiziv
Whatley ishte në liri me kusht gjatë kohës së tragjedisë, ndërsa tani është akuzuar nga autoritetet për vrasje të gradës së dytë për vdekjen e bijës së tij, tha Lisa Vorrasi, oficere e Zyrës së Hetimit në Georgia.
Top Channel