Mbetjet kockore në Vlorë, banorët: Ishte edhe një kafkë. Dheu u mor për të mbushur bahçen nga një pallat në ndërtim

05/05/2022 13:20

Ndër mbetjet kockore të gjetura mëngjesin e sotëm në Vlorë, ishte edhe një kafkë njeriu.

Kështu pohojnë fqinjët e banorës e cila gjeti eshtrat ndërsa po punonte në oborrin e shtëpisë së saj. Ata thanë se dheun, fqinja e tyre e mori nga një pallat në ndërtim për të mbushur bahçen në oborrin e shtëpisë së saj.

“Ishim bashkë kur e gjeti, dheun e mori për të mbushur baçen nga një pallat në ndërtim. I kishte dalë kafka e kokës. Erdhi policia i mori’ -thotë një prej tyre.

Ndërkohë gruaja është duke u marrë në pyetje nga specialistët në drejtorinë e policisë së Vlorës. Mbetjet kockore do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për ekzaminime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Më datë 05.05.2022, në sallën operative të DVP Vlorë, ka telefonuar shtetasja I. J., e cila ka kallëzuar se në një grumbull dheu, të marrë para disa ditësh, për të kryer punime, në afërsi të banesës së saj, në lagjen “Kushtrimi”, ka gjetur mbetje kockore të dyshuara si ato të njeriut.

Top Channel