“Drejtësi për Ilvin”/ Qytetarët e Kavajës ndezin qirinj dhe vendosin lule pranë komisariatit ku ndërroi jetë 31-vjeçari

05/05/2022 22:46

Familjarë, të afërm, shokë e qytetarë të Kavajës kanë ndezur qirinj e vendosur lule pranë komisariatit të policisë Kavajë në shenjë solidariteti për të riun Ilvi Meta që humbi jetën në ambientet e brendshme të tij.

Pranë komisariatit ishin edhe dy motrat e Ilvit, Irma dhe Irena, bashkë me fëmijët e tyre. Të mpira nga humbja e vëllait të vetëm nuk e besojnë vetëvarjen e tij. Ethshëm kërkojnë drejtësi.

Kërkojnë prova, pamjet e kamerave të sigurisë që ndodhen brenda komisariatit për të parë ccastet e fundit të vëllait të tyre dhe shuar dyshimet e forta.

”Duam vetëm kamerat e sigurisë. Duam vetëm drejtësi.  Pse ia lanë xhupin nëse ai e ka bërë vetë. Pse e lanë aq kohë vetëm. I bie që policia pinte kafe ndërsa ai vriste veten. Ndaj duam kamerat e sigurisë. Të na bjerë shpirti rehat. Sot ia bënë vëllait tim, nesër ia bëjnë të tjerëve.”

Irena, njëra nga dy motrat e Ilvit, që jetonte me të dhe prindërit nuk mund ta pranojë idenë e vetëvrasjes. I vëllai kishte kërkuar ushqim pak orë para se të largohej nga kjo botë.

”Kam ardhur dje në 18.00 se kishte kërkuar me ngrënë dhe në 18.30 arrita në shtëpi dhe mora lajmin që ka vdek. Ma morën dhe ushqimin e futën brenda kur ai kishte vdek. Ai paska qenë në Durrës.”

Askush nga autoritetet policore nuk i ka kontaktuar për t’u dhënë lajmin e rëndë. Atë e mësuan nga gazetarët, nga ekrani i televizorit.

Irma, motra e Ilvit: ”Vjen një polic në shtëpi dhe thotë: ka ndodh kjo. E merr vesh nëna nga TV se vdiq Ilvi Meta. I bëjnë autopsi pa e dit familja. Pa lejen e familjes. Këto ndodhin vetëm këtu. Duam kamerat e sigurisë. Nëse aty del se vëllai im ka vrarë veten qoftë i xhenetit dhe e faltë Zoti, po nëse ia kanë marrë jetën ndryshon ccdo gjë.”

Motrat mohojnë që vëllai i tyre të kishte pasur probleme, shqetësime të mëparshme që të rëndonin më tej gjendjen e tij psikologjike pas ndalimit nga ana e policisë.

”Asnjë problem. Dy ditë më parë më tha t’i prija biletën që të vinte në Greqi për të më ndihmuar të lyeja shtëpinë.”

”Edhe kur e kanë kapur komshia më tregoi se nuk e mori me stres.”

”Është përgjegjësia e shtetit. Xhupi i tij ka pasur një llastik aq të vogël sa s’mund të ndodhte…”-vijon Irma, motra që e priste të vëllanë në Greqi, por erdhi për ta përcjellë për në banesën e fundit mes dhembjes dhe dyshimeve të forta për shkakun e vdekjes së tij.

Top Channel