Përjashtimi  për pesë vite i tre klubeve të kategorisë së dytë konsiderohet si një hap i parë i ndëshkimit të këtij fenomeni me përditësimin e kodit të etikës së futbollit.

Në pamje të parë një vendim me dorë të hekurt, por për oficerin e integritetit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit është dënimi minimal ndaj këtij fenomeni.

Me çfarë fiksimi rezultatesh kemi pasur të bëjnë në ndeshjet Bulqiza-Veleciku dhe Oriku-Gramshi dhe FC Internacional-Luzi?

“Për të pasur një fiksim rezultati mjafton që njëra nga skuadrat të jetë nën performancën e saj të zakonshme. Me rregullore çdo ekip duhet të bëjë maksimumin e tij për të vendosur në fushë formacionin më të mirë të mundshëm, dukshëm nuk ka qenë kështu në këto ndeshje dhe bindja e komisionit ka qenë që kjo është bërë për arsye të qëllimshme”, tha oficeri i integriteti të FSHF, Aldi Topciu .

Çfarë kanë deklaruar protagonistët përpara komisioni?

“Ka pasur qasje të ndryshme, disa prej tyre e kanë mohuar këtë fenomen, ka pasur deklarata që e linin të nënkuptohej atë që ka ndodhur por ka pasur edhe qasje që nuk e quanin ndonjë gjë të madhe pasi e konsideronin veten në një kategori të ulët dhe për këtë arsye supozohet nuk duhet të ketë të njëjtat kritere vlerësimi të fair play-t”.

A ka pasur pas këtyre rezultate indicje për përfitime parash?

“Kjo nuk ka rëndësi, ajo që ka rëndësi është tërësia e performancës sportive. Nuk është e thënë që çdo trukim, manipulim apo paracaktim rezultati përfitimesh nga bastet, shpesh herë ato bëhen për përfitime sportive, për të favorizuar një ekip apo një tjetër”.

Në këtë fund kampionati për të gjitha kategoritë a i trembet Federata Shqiptare e Futbollit marrëveshjeve?

 “Federata Shqiptare e Futbollit mbetet e angazhuar për të siguruar integritetin e garës dhe do të jetë shumë e vëmendshme sidomos në këtë fund kampionati dhe do të ketë një vëmendje të shtuar në këtë pjesë të garës”.

 

Top Channel