Kosova, anëtare në Këshillin e Europës/ Gjermania konfirmon mbështetjen

04/05/2022 14:53

Qeveria gjermane konfirmoi mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, e pohuar kjo nga anëtari i Asamblesë së Përgjithshme të këtij këshilli, Knut Abraham.

Deputeti gjerman publikoi në Twitter një pyetje që i ka bërë qeverisë së vendit të tij nëse do ta përkrahte Kosovën, po të aplikonte dhe përgjigja ishte se “ekzekutivi gjerman e mbështet një gjë të tillë. Është me rëndësi, që për këtë çështje të mbetemi në koordinim të ngushtë me partnerët tanë në BE dhe në Këshill të Evropës”, theksohet në përgjigjen e qeverisë.

Lidhur me një aplikim të mundshëm të Kosovës për anëtarësim në këtë institucion ka folur edhe presidentja Vjosa Osmani.

Osmani u shpreh optimiste, por edhe realiste në të njëjtën kohë. Ajo shpjegoi se nga aplikimi deri në anëtarësim, nevojitet një periudhë e caktuar kohore.

“… Jemi në fazën e fundit të përgatitjeve për aplikim, por ta keni parasysh se për anëtarësim në Këshillin e Europës, shteteve të ndryshme, i është dashur një kohë e ndryshme për pranim. Dikujt i është dashur 1 vit, dikujt tjetër 5 vjet për t`u anëtarësuar. Ne po punojmë me partnerët tanë që kjo kohë të jetë sa më e shkurtër. Siç e dini më shumë se 2/3 e shteteve anëtarë të këshillit të Evropës e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës dhe ne shpresojmë se këto do të votojnë në favorin tonë”, është shprehur Osmani.

Muajin e kaluar, liderët e Kosovës deklaruan se është momenti i përshtatshëm për aplikim në mekanizmat ndërkombëtarë Bashkimi Europian, Këshilli i Europës dhe NATO. Në rastin e NATO-s, çështja është me e komplikuar, ndërsa në atë të KE-së, sipas Osmanit 2/3 e ministrave që do të votojnë janë nga shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Top Channel