”Koreja e Veriut po bëhet vend bërthamor”, lëshon raketën shkatërruese-alarm në Seul

04/05/2022 13:01

Vetëm disa ditë pasi Kim Jong-un u zotua të forcojë arsenalin bërthamor të vendit të tij me “ritmin më të shpejtë të mundshëm” dhe kërcënoi të përdorë armë të tilla kundër rivalëve,  Koreja e Veriut lëshoi sot një raketë balistike drejt ujërave lindorë, e pohuar kjo nga zyrtarë koreano-jugorë dhe japonezë. 

Ky është rundi i 14-të i lëshimeve të raketave gjatë këtij viti në Korenë e Veriut dhe po ashtu vjen gjashtë ditë pasi presidenti i ri i Koresë së Jugut të marrë mandatin pesëvjeçar.

Përmes një deklarate për media, ushtria jug-koreane sqaroi se raketa u lëshua nga rajoni i kryeqytetit të Veriut dhe fluturoi drejt ujërave të bregdetit lindor. Në deklaratë u tha se ushtria jug-koreane po monitoron për armë të reja që Koreja e Veriut mund të testojë.

Rojet bregdetare japoneze sakaq u bënë thirrje anijeve që lundrojnë jashtë brigjeve japoneze që të kenë kujdes. Vëzhguesit shprehen me shqetësim se ritmi vërtet i shpejtë i testimit të armëve  nga Koreja e Veriut tregon se ky shtet ka bërë përparim në programet e raketave dhe po kërkon të ushtrojë presin ndaj Uashingtonit, për shkak të bllokimit të negociatave.

Ata kanë bindjen se Kim dëshiron që të përdorë arsenalin e tij atomik për të fituar njohjen ndërkombëtare të Koresë së Veriut si shtet bërthamor, pasi beson se një gjë e tillë mund të shtyjë Shtetet e Bashkuara që të lehtësojë sanksionet ekonomike të vendosura ndaj Penianit.

Top Channel