Johnson shkruan “historinë”: I drejtohet parlamentit ukrainas, i pari lider i huaj pas luftës!

03/05/2022 11:50

Boris Johnson bëhet sot i pari lider i huaj që i drejtohet parlamentit në Kiev që prej nisjes së luftës në 24 shkurt, ku pritet të njoftojë një ndihmë të re ushtarake për Ukrainën.

Përmes një lidhjeje video, kreu i ekzekutivit britanik pritet të lavdërojë forcat ukrainase për rezistencën e tyre, e të pohojë se janë ndarë edhe 376 milionë dollarë të tjerë për Kievin. Londra ka dërguar pajisje ushtarake në Ukrainë, duke përfshirë raketahedhëse.

Ndihma e re do të ketë pajisje të reja luftarake, sisteme radari dhe mijëra pajisje që mundësojnë shikimin natën. Në fjalimin e tij, Johnson do të përmendë edhe adresimin e vitit 1940 të liderit Winston Churchil, teksa Britania është përballur me agresionin e Gjermanisë naziste.

Johnson do të deklarojë se “populli britanik ka treguar atëherë një unitet dhe vendosmëri të tillë, që ne e kujtojmë si kohën tonë më të mirë. Kjo është koha më e mirë e Ukrainës, një kapitull epik i historisë kombëtare, që do të kujtohet nga gjeneratat e ardhshme”.

Ndërkohë, një diplomate amerikane tha më herët se Shtetet e Bashkuara mund të rihapin së shpejti ambasadën e tyre në kryeqytetin e Ukrainës, në Kiev. E ngarkuara me punë Kristina Kvien sqaroi se Washingtoni po pret ende një analizë përfundimtare nga zyrtarët e sigurisë, përpara se të rifillojne aktivitetin e tyre atje.

“Kur të na thonë se mund të kthehemi, ne do të kthehemi”, u shpreh ajo. Kvien shtoi se diplomatët amerikanë do të fillojnë të bëjnë udhëtime ditore në kryeqytetin e Ukrainës gjatë dy javëve të ardhshme, ndërsa mesazhi për Rusinë është: “Ti dështove, Ukraina është ende në këmbë”!

Top Channel