Darka e Korespondentëve: Biden tallet me veten, por vlerëson gazetarët!

02/05/2022 11:14

Darka e famshme e Shtëpisë së Bardhë për korespondentët u mbajt këtë radhë në Washington pas dy vitesh anullimi për shkak të pandemisë së koronavirusit. Presidenti Joe Biden nuk i kurseu lavdërimet për gazetarët, teksa theksoi se në ditët e sotme, shtypi i lirë ka më shumë rëndësi se kurrë, duke iu referuar dhe raportimeve nga lufta në Ukrainë.

“Ne nderojmë anëtarët e shtypit, si kombëtar ashtu edhe lokal. Mdia e lirë  nuk është armiku e njerëzve, perkundrazi. Në rastin më të mirë, ju jeni rojtarët e së vërtetës. Presidenti Kennedy tha një herë dhe unë citoj “Pa debat, pa kritika, asnjë administratë, asnjë vend nuk mund të ketë sukses dhe asnjë Republikë nuk mund të mbijetojë.”- tha Biden.

Në darkë morën pjesë gazetarë, drejtues të medias, zyrtarë të administratës dhe shumë personazhe të njohur të jetës publike në vend. Biden bëri dhe batuta rreth moshës së tij, apo anketimeve që vlerësojnë punën e administratës së vet.

“Jam shumë i gëzuar që jam këtu sonte me të vetmin grup amerikanësh që kanë nivel më të ulët aprovimi sesa unë”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë duke shkaktuar të qeshura në sallë.

Gjithçka mori një ton tjetër megjithatë kur foli  për gazetarët që raportojnë nga lufta në Ukrainë.

“Ne të gjithë e kemi parë guximin e popullit ukrainas për shkak të guximit të gazetarëve amerikanë në këtë dhomë dhe kolegëve tuaj në mbarë botën, që janë në terren, që kanë marrë në dorë fatet e tyre. Ka një dezinformim masiv në rritje, ku e vërteta varroset nga gënjeshtra dhe gënjeshtrat jetojnë si të vërteta. Një gjë është e qartë shtypi i lirë është më i rëndësishëm se kurrë”, theksoi Biden.

Nëpërmjet humorit, kreu i shtetit amerikan dha edhe një mesazh për presidentin rus, teksa i tha komedianit Trevor Noah se mund të bënte batuta me presidentin e Shteteve të Bashkuara dhe “ai nuk do të shkonte në burg, si në Moskë”.

Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë u themelua në vitin 1914 dhe ka zhvilluar darka pothuajse çdo vit që nga viti 1921, për të festuar me gazetarët që mbulojnë presidencën..

Top Channel