Baerbock skicon kushtet për një paqe të qëndrueshme, këmbëngul për tërheqjen e të gjitha trupave rusë nga Ukraina

01/05/2022 13:47
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock

Tërheqja e të gjitha trupave ruse nga Ukraina është sipas ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock kushti për një paqe të qëndrueshme në Europë dhe për fundin e sanksioneve kundër Rusisë.

“Një paqe në kushtet, që ka diktuar Rusia, nuk do të sjellë as në Ukrainë dhe as në Europë sigurinë e shumëpritur“, tha Baerbock për gazetën “Bild am Sonntag”. Në rastin më të keq kjo do të nënkuptonte ftesën për një luftë tjetër, edhe më pranë kufijve gjermanë.

Putin e ka shkatërruar në mënyrë të pakthyeshme rendin e paqes në Europë. Një rrugë kthimi përpara 24 shkurtit nuk ka: “Ne kurrë më nuk mund të kemi besim vetëm tek premtimet e Putinit”. Ndaj tani duhet ndihmuar Ukraina, që ajo të mbrohet prej ndërhyrjes ruse dhe sulmeve të ardhshme. “Paqe të vërtetë do të ketë sërish vetëm kur të gjithë në Europë do ta kuptojnë, që në një luftë në fund nuk ka asnjë vend fitues, por që të gjithë janë vetëm humbës”, tha Baerbock për gazetën Bild.

Ambasadori ukrainas Melnyk dëshiron nga Gjermania armët më moderne

Ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Andrij Melnyk, sërish kërkon armët më moderne gjermane për luftën mbrojtëse kundër ushtrisë ruse. Tanket Gepard të premtuara janë 40 vjet të vjetra, u ankua ai në një bisedë për gazetën “Bild am Sonntag”. Ndërkohë që për të mposhtur Rusinë, “neve na nevojiten armët më moderne gjermane“. Konkretisht ai përmendi furnizimin sa më shpejtë me 88 tanke Leopard, 100 Marder, hauci vetëlëvizës e “shumë më tepër”.

Melnyk e quajti „tërësisht të pakuptimtë” drojën se përmes furnizimeve me armë mund të konsiderohesh palë lufte. Sipas tij Putini prej kohësh e konsideron  Gjermaninë palë lufte. Kush do ta pengojë përhapjen e mëtejshme të luftës së tij, “duhet të ndihmojë tani, për t’i treguar kufijtë Putinit”./ DW

 

Top Channel