Zbardhet një tjetër kërkesë e Rusisë për negociatat që synojnë fundin e luftës në Ukrainë.

Vetë ministri i jashtem rus, Sergei Lavrov pohoi se pjesë e bisedimeve është dhe pretendimi i Moskës që të hiqen sanksionet e vendosura nga perëndimor pas fillimit të konfliktit. Ai i përshkroi negociatat si të vështira, port ha se përpjekjet për to vazhdojnë cdo ditë. Ndryshe e sheh situatën SHBA dhe presidenti ukrainas, Volodymir Zelensky.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë parë shenja se negociatat Rusi-Ukrainë po “rezultojnë të frytshme” ndërsa agresioni i Moskës hyn në muajin e tretë, thotë një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit. “Rusët nuk duket të jenë të gatshëm të negociojnë me seriozitet,” u shpreh këshilltari i lartë i Departamentit të Shtetit Derek Chollet.

Vazhdimi i negociatave për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës është vënë në pikëpyetje, teksa presidenti ukrainas tha se është e vështirë të bisedohet për paqe pas pretendimeve për mizori të kryera nga forcat ruse. Këto zhvillime vijnë teksa shpresat u zbehën për një evakuim të civilëve nga qyteti i rrethuar i Mariupolit, teksa Rusia po vazhdon ofensivën në lindje të Ukrainës.

Sot, Zelensky pohoi se forcat ukrainase po bënin përparime taktike në rajon. Zyra e tij më herët qe shprehur se ishte planifikuar një operacion për të evakuuar civilët nga fabrika e çelikut Azovstal, ku 2,000 forca ukrainase dhe afër 1,000 civilë kanë mbetur të bllokuar.

Ndërkaq, në qytetin e dytë më të madh ukrainas, Kharkiv, dita nisi me sulme mortajash e artileri. Sipas Zelensky bombardimet e vazhdueshme dhe “brutale” mbi infrastrukturën dhe zonat e banuara “tregojnë se Rusia dëshiron që ta zbrazë rajonin e Donbasit dhe të largojë të gjithë banorët”, duke shtuar se “mbrojtja e tokës sonë, e njerëzve tanë, po lufton për jetë”.

Top Channel