Greqia heq kufizimet anti-Covid, konfuzion për hyrjen “lirshëm” nga 1 maji!

30/04/2022 13:04

Greqia i është bashkuar vendeve europiane që kanë lehtësuar masat anti-Covid.

Në një kohë kur si rastet e reja, ashtu dhe shtrimet në spital kanë rënë ndjeshëm në vendin fqinj, jeta atje po shkon drejt normalitetit. Ministria greke e shëndetësisë konfirmoi zyrtarisht heqjen e kufizimeve për të gjithë udhëtarët që hyjnë në këtë vend.

Në linjë me rekomandimet e Komitetit vendas të Eksperteve, nga 1 maji, personave që hyjnë në Greqi nuk do tu kërkohet më paraqitja e dokumentit të vaksinimit, të shërimit nga Covid 19 apo certifikata e testit. Do të ketë po kështu lehtësira edhe brenda kufijve. Hiqet demonstrimi certifikatës Covid të vaksinimit në të gjitha zonat e mbyllura dhe të hapura, por mbetet në fuqi kryerja e dy testeve në javë për punonjësit e pavaksinuar spitalorë.

Komiteti i ekspertëve rekomandon mbajtjen e maskës në ambiente të mbyllura, por jashtë nuk ka nevojë. Masat në shkolla përfshijnë ruajtjen e përdorimit të detyrueshëm të maskës mbrojtëse brenda dhe jashtë, ajrimi i rregullt i ambienteve, pastrimi i plotë i sipërfaqeve dhe pajisjeve, pushimet e veçanta etj. Nuk do të ketë teste të rregullta për nxënësit apo mësuesit e pavaksinuar.

Duket se ka pasur megjithatë konfuzion pasi Organizata Kombëtare greke e Tuizmit doli me pretendimin se masat e hyrjes nuk do të hiqen në maj, pavarësisht pohimeve të ministrisë së shendetësisë. Interpretimi që i bëri ajo deklaratës së ministrisë ishte se masat do të pezullohen, cka nënëkupton lehtësim vetëm për disa kufizime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA