”Londra mbështeti sulmet e Ukrainës në Rusi”, Moska kërcënon të bombardojë anglezët e NATO-n! 

27/04/2022 11:40

Kremlini paralajmëroi se mund të vërë në shënjestër objektet ushtarake në Britaninë e Madhe për shkak të mbështetjes së Londrës për Ukrainën, e thotë po kështu se mund të godasë diplomatët britanikë që kthehen në Kiev pas atyre që i cilësoi si deklarata provokuese të ministrit britanik të mbrojtjes lidhur me bombardimin e Rusisë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e artikuloi hapur se mund të autorizohen sulme kundër shteteve të NATO-s që ofrojnë armë për Ukrainën.

Maria Zakharova: A e kuptojmë qartë të gjithë se për hir të ndërprerjes së logjistikës së furnizimeve ushtarake, Rusia mund të godasë objektivat ushtarake në territorin e atyre vendeve të NATO-s që furnizojnë me armë regjimin e Kievit? Në fund të fundit, kjo çon drejtpërdrejt në vdekje dhe gjakderdhje në territorin ukrainas. Me sa shoh unë, Britania është një nga ato vende.

Komentet e saj erdhën pasi ministri i Forcave të Armatosura të Britanisë, James Heappey, tha se Mbretëria e Bashkuar I mbështeti sulmet ajrore të Ukrainës në infrastrukturën ruse.Ai shtoi se do të ishte ‘plotësisht legjitime’ që armët britanike të përdoren në sulme të tilla, edhe pse aktualisht nuk mendohet të ketë ndodhur një gjë e tillë.Heappey shtoi se Britania do të rifillonte stërvitjen e trupave ukrainase brenda Ukrainës nëse konflikti do të ‘ashpërsohej’ në rajonet lindore Donetsk dhe Luhansk.

Por komentet e tij u cilësuan nga Kremlini si një provokim. Në një përshkallëzim të konsiderueshëm të tensioneve, Moska paralajmëroi se do të ishte e gatshme të sulmonte në formë shpagimi ‘qendrat vendimmarrëse’ në Kiev – edhe nëse diplomatë britanikë dhe të tjerë perëndimorë do të ishin të pranishëm.Ndërkohë, Tobias Ellwood, kryetar i komitetit të të mbrojtjes, tha se vërejtjet e Heappey kishin ‘potencialin t`I haponin derën sulmeve hakmarrëse në Poloni’. Ai gjithashtu paralajmëroi se Rusia mund të godiste objektivat perëndimore jashtë Ukrainës dhe tha për The Times se Perëndimi po përfshihej gjithnjë e më shumë në në një luftë proxy.

Javën e kaluar, kryeministri Bors Johnson njoftoi se Britania do ta rihapë ambasadën e saj në Kiev, dy muaj pas evakuimit të stafit të saj për shkak të nisjes së agresionit rus.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA