Fitoren e vështirë të Emanuel Macron por me një rëndësi shumë dimensionale, ish-shefi i diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati, në një intervistë me gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, e shikon si një konfigurim të ri në të gjithë spektrin e politikës Franceze.

Për  Francën, për herë të parë gjatë Republikës së Pestë, ne kemi një konfigurim të ri politik. Me qendrën që përfaqëson Macron, të majtën anti-kapitaliste që përfaqëson Melonshon dhe të djathtën ekstreme të Le Pen. Këto zgjedhje konfirmuan gjithashtu edhe një rrënim të partive tradicionale franceze sepse gjatë Republikës së Pestë franceze, ne jemi mësuar të shikojmë alternimin e pushtetit nga republikanët te socialistët.

Kjo është arsyeja që Macron, në raundin e parë kandidoi si i djathtë me një platformë të djathtë dhe në raundin e dytë për të tërhequr votat e Melonshos kandidoi si i majtë duke u përqendruar si te çështjet ekologjike apo çështjet e shanseve të barabarta. Ky konfigurim i ri politik në Francë dhe rrënimi partive tradicionale franceze pritet të testohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të qershorit. Pra, në rast se do të kemi një fitore të partisë së Macron e kështu ai të ketë një kryeministër e një qeveri që ndan plotësisht bindjet e tij apo do të kemi një coabitacion që njihet ndryshe si bashkëjetesë ku do të detyrohet të bëjë koncesione të ndryshme me një nga partitë e tjera të spektrit politik francez”, shpjegon Bushati.

Triumfi ndaj Le Pen, më shumë se sa një fitore personale e Macron, është komentuar edhe si një e ardhme më e sigurt  për ekzistencën e vetë unionit evropian. Ditmir Bushati këtë fitore e lidh edhe me atë çfarë do të ndodhë në vazhdim pas qëndrimeve të lëkundura nga disa vende të BE-s në raport me Rusinë.

Franca është një prej vendeve me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të OKB-s. Është një fuqi nukleare. Është një nga dy motorrët kryesor të BE-s së bashku me Gjermaninë, prandaj konfirmimi Emanuel Macron si president i Francës e izolon më tej ndikimin rus në Europë dhe çimenton më tej qëndrimin e Bashkimit Europian dhe bashkërendimin e politikave të SHBA, kundrejt luftës që po zhvillohet në kontinent. Gjithashtu ekziston një mundësi historike që të jetësohet procesi i reformave dhe të konsolidimit të projektit europian që Macron e ka premtuar dhe që është nënvizuar për konferencën që do të mbahet për të ardhmen e Europës. Ekziston mundësia për të lëvizur drejt një embargoje totale të naftës ruse, ç’ka do të ishte hapi i parë ndonëse i dhimbshëm për ta shpëtuar Europën sado që të jetë e mundur nga varësia ruse në këtë drejtim”, thotë Bushati.

Ishte Franca në 2018 që vendosi frenimin e zgjerimit të BE duke kërkuar një metodologji të re. Por sa janë shanset pas fitores të Macron që zgjerimi, siç thotë Ditmir Bushati, të dalë nga gjendja klinike ku ndodhet?

Konteksti gjeo-politik në të cilin zhvillohet procesi zgjerimit ka ndryshuar pozitivisht. Duhet ta pranojmë se deri më sot e sidomos vitet e fundit ai është në një gjendje klinike dhe situate në kontinent me luftën në Ukrainë, fitorja e Macron në Francë janë sinjale që procesi zgjerimit mund të shpëtohet, mund të shpëtohet përmes reformave që Franca dhe Macron ka paraqitur qoftë me Europën e disa shpejtësive apo rrathëve koncentrik më shumicën e cilësuar, pra me ambicien e Evropës për të vepruar kësisoj për të patur instrumentet e duhur në funksion të këtij veprimi. Ndaj shpresoj që hapi radhës do të jetë fillimi bisedimeve për anëtarësim të Shqipërisë në BE, pse jo tanimë një proces normal i anëtarësimit të të gjitha vendeve të rajonit dhe një pjesë të vendeve të partneritetit lindor për të finalizuar projektin politik evropian”.

Top Channel