Aktiviste që nga viti 2009 në mbrojtje të të drejtave të komunitetit LGBT, Xheni Karaj ka një motiv të fortë për të qenë krenare sot, pasi është fituese e çmimit “Civil Rights Defender 2022”, Mbrojtëse e të Drejtave të Njeriut 2022.
“Kur më morën në telefon mendova se isha kualifikuar në një listë më të ngushtë, m’u deshën 5 minuta të kuptoja se isha fituese për këtë vit. Nuk mendoja se do të fitoja ndonjëherë çmim, kjo për mua është jeta ime dhe nuk është se ti e bën këtë gjë që të të vlerësojnë apo të të japin një çmim. Gjithsesi qenka shumë e bukur si ndjesi”, thotë Xheni Karaj.
“Lajmin e ndava së pari me të dashurën time, me partneren, e cila u emocionua po aq sa unë dhe që unë ia dedikoj asaj çmimin.
Ky është një çmim që jepet që nga viti 2011 për aktivistë që mbrojnë të drejtat e njeriut. Kjo është hera e parë që ky çmim jepet për aktivistët në mbrojtje të komunitetit LGBTI. Janë aktivistë nga I gjithë globi që propozohen dhe konkurrojnë. Çmimi do të jepet fizikisht në datë 12 maj në Suedi.
Kam qenë 21 vjeç kur dilja rrugëve dhe ngjisja posterë nëpër pemë, natën. Aksionet I bënim natën. Edhe kur jepja intervista fshihja identitetin tim.
Mua më thoshin pederaste kur isha 21-vjeçare.
Sfida jonë është që unë dhe partnerja ime të njihemi ligjërisht dhe nëse vendosim të bëjmë një fëmijë, fëmija ynë të njihet ligjërisht. Kështu që kam shumë sfida përpara. Ky çmim më motivon shumë”.
Top Channel