Zjarr në një banesë në Korçë, dyshohet se shkak ishte bombola e gazit
Në vijim të videomesazhit drejtuar shqiptarëve, kryeministri Edi Rama foli edhe për dhuratat që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, duke thënë se ato janë regjistruar si prona të shtetit shqiptar.
Rama deklaroi se pasuria, paratë apo favoret nuk e kanë përkulur bindjen e tij dhe se synimi i tij, sipas tij, është transformimi i Shqipërisë dhe integrimi i vendit në Bashkimin Europian.
Fjala e kryeministrit Rama:
Sot në kryeministrinë e Republikës së Shqipërisë, ka një muze të dhuratave që merr kryeministri.
Atyre pisanjosëve me kostum parlamentar apo me sqep sorrash e korbash në vend të buzëve, të cilët ndër plot jashtëderdhjet e tyre në mexhelisin e Shqipërisë, kanë nxjerrë edhe një orë super të shtrenjtë, që unë e paskesha marrë dhuratë nga krimi i organizuar, u them se në atë muze ka thuajse një duzinë orash të shtrenjta e super të shtrenjta, të cilat më janë dhuruar mua, personalisht, jo nga kriminelë po nga miq të fuqishëm a vizitorë shumë të nderuar.
Por ndryshe nga paraardhësi im, që i ka përlarë të tëra bashkë, me tërë dhuratat e tjera të tetë viteve të tij në zyrën e kryeministrit, unë i kam regjistruar të gjitha dhuratat për kryeministrin si prona të shtetit shqiptar. Sepse çfarë vjen për mua si kryeministër dhe çfarë më takon të kem si kryeministër, nuk vjen as për ta çuar në shtëpinë time, as për ta pasur edhe për veten time.
Prandaj për shembull privatisht unë udhëtoj gjithnjë njësoj si çdo shqiptar tjetër ose prandaj fjala vjen, makina ime merret me qera nga partia, nuk blihet nga kryeministria, përderisa përdoret edhe për udhëtime partie e jo vetëm qeverie.
Prapë e them, sinqerisht, me siguri unë i kam fajet e mia dhe në 28 vitet e 4 muajt e shërbimit tim publik, mund të kem bërë madje shumë më tepër gabime se sa ato jo pak që unë i di vetes.
Por kurrë, asnjëherë, paraja, pronat apo favoret e çfarëdolloji kundër ligjit, nuk e kanë përkulur dot bindjen time se në këtë rrugë, unë jam për të dhënë jo për të marrë. Jam për të lënë emrin, jo për të fryrë xhepin. Jam për të bërë histori, jo për të bërë pasuri. Jam për të transformuar Shqipërinë, jo deformuar vetveten.
Top Channel