Pas interesimit të Ambasadës së Ukrainës në vendin tonë, Ministria e Arsimit ka nisur punën për integrimin e nxënësve ukrainas, që kanë ardhur me qëndrim të përkohshëm në Shqipëri.

Nga informacioni që kemi marrë janë 211 nxënës, deri në datën 4 prill, që kanë ardhur në vendin tonë. Bashkë me familjet e tyre janë vendosur kryesisht në qytete bregdetare si Durrës, Shëngjin, Orikum, Vlorë, Sarandë, si dhe Tiranë. Mosha e këtyre fëmijëve është 3-16 vjeç”, shprehet Shkëlqim Allkaj, Kreu i Grupit të Punës për Fëmijët Ukrainas.

Praktikisht këta nxënës vazhdojnë mësimin në platformën online në shkollat e tyre në Ukrainë. Por një pjesë e prindërve ukrainas janë interesuar pranë ambasadës së tyre në Tiranë dhe për rrjedhojë ambasada ka komunikuar më Ministrinë e Arsimit, për t’i integruar këta nxënës pas mësimit që ata zhvillojnë online në vendin e tyre, për t’u integruar në shkollat tona kryesisht për aktivitete, lojëra dhe për mbështetje psiko-sociale.

Këta nxënës mund t’i integrojmë në shkolla, të cilat funksonojnë edhe pas orëve të mësimit, që janë shkollat “Bëjmë projektin e detyrave të shtëpisë”, që është një projekt ku edhe mësojnë edhe argëtohen. Gjithashtu mund t’i integrojmë nëpër shkollat Qendra Komunitare.

Problem i vështirë sipas Ministrisë së Arsdimit dhe zyrtarëve të Ambasadës së Ukrainës në vendin tonë është komunikimi i fëmijëve, si do të merren vesh me njëri-tjetrin.

Shkëlqim Allkaj: Ne kemi marrë informacion edhe në këtë drejtim, dhe na është thënë, se fëmijët ukrainas bëjnë si gjuhë të dytë në vendin e tyre, anglisht dhe frëngjisht. Edhe nxënësit tanë i bëjnë këto gjuhë dhe ky fakt e lehtëson shumë komunikimin mes tyre.

Deri tani nuk kemi ndonjë regjistrim konkretisht në ndonjë shkollë. Ne jemi në pritje. Ky është një proces, që nisi ditën e premte me ngritjen e grupit të punës, dhe çdo të premte ne do të kemi një përditësim me të dhënat, që do të marrim nga Zyrat Vendore Arsimore dhe për çdo rast nëse ka ndonjë emergjencë, që kërkon ndërhyrjen tonë.

Top Channel