Kryeministri Albin Kurti ka reaguar për aksidentin që ndodhi mesditën e së dielës, kur ministrja Rozeta Hajdari përplasi një fëmijë të mitur në rrugë.

Kurti thotë se në rrugë nuk kishte shenja frenimi duke justifikuar kështu ministren se nuk ishte me shpejtësi më të lartë se sa duhej.

Megjithatë shprehu keqardhje për aksidentin që është lënduar fëmija.

“Unë nuk kam të tjera informacione përveç sqarimeve që i ka thënë Hajdari dhe më duhet të them se i besoj. Ka qenë bashkë në veturë me motrën e saj me aftësi të kufizuara dhe me çka kam kuptuar nuk ka shenja në asfalt të frenimit, që do të thotë se nuk ka pasur shpejtësi më tepër se ç’duhet. Policia e ka rastin dhe kamerat e marketit janë aty”, tha Kurti.

Aksidenti ndodhi mesditën e së dielës në Lagjen Arbëria. E mitura e moshës 9 vjeçare u dërgua për trajtim mjekësor e pastaj u lirua meqë lëndimet nuk qenë serioze.

Mjetin e drejtonte Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari e një raport i policisë vlerësoi se nuk përshtati shpejtësinë me kushtet e rrugës.

Arsyetimi i Ministres Rozeta Hajdari rreth aksidentit qe se derisa po kthehej në banesën e saj në Lagjen Arbëria, dy fëmijë vrapuan për të kaluar rrugën dhe sipas saj njëri prej tyre u përplas me veturën e saj.

Top Channel