15 administratorë të faqeve online që tregtonin në mënyrë të paligjshme produkte kontrabandë janë vënë në pranga nga policia.

Në kuadër të operacionit “Faqet Online”u shpallën në kërkim 6 të tjerë, për të cilët prokuroria lëshoi urdhër-arrestet.

Pas hetimit disa mujor, policia ka vënë në pranga E. I., 39 vjeçe, K. V., 34 vjeç, E. K., 30 vjeç, J. Q., 38 vjeç, P. Rr., 35 vjeçe, E. K., 34 vjeçe, E. Xh., 33 vjeçe, E. R., 41 vjeçe, A. D., 33 vjeçe, G. Ll., 30 vjeç, J. K., 31 vjeçe, S. R., 38 vjeçe, Sh. P., 52 vjeç, B. B., 56 vjeç, R. Gj., 27 vjeçe, administratorë të faqeve të ndryshme online.

Në kërkim u shpallën A. H., 22 vjeç, M. B., 32 vjeç, A. S., 32 vjeç, M. G., 36 vjeç, E. Ç., dhe E. Z.

Përmes faqeve online, ata reklamonin dhe tregtonin produkte të ndryshme, të cilat dyshohet se janë futur në Shqipëri kontrabandë, dhe për shitjet e tyre, nuk jepnin faturë tatimore, duke shmangur pagesën e taksave dhe tatimeve.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar sasi të konsiderueshme produktesh (mallrash), të cilat do të tregtoheshin te klientët nëpërmjet postave.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të  administratorëve për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”.

Top Channel