“Ngrihuni për Ukrainën”/ Konferenca e donatorëve, mblidhen më shumë se 10 miliardë euro ndihma

10/04/2022 12:52

Në një konferencë ndërkombëtare donatorësh për të mbledhur ndihma për refugjatët nga Ukraina, e organizuar në Varshavë janë grumbulluar donacione me vlerë 10.8 miliardë euro.

Nga fondet totale, 1 miliardë euro vijnë nga Komisioni Evropian dhe 1 miliard euro të tjera nga një kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për të mbuluar nevojat e njerëzve të zhvendosur.

“Solidariteti i vendeve, kompanive dhe njerëzve në mbarë botën po ofron pak dritë në këtë orë të errët,” tha presidentja e Komisionit të BE Ursula von der Leyen. “Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje. Dhe sapo bombat të kenë pushuar së rënë, ne do të ndihmojmë popullin e Ukrainës të rindërtojë vendin e tyre. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për Ukrainën.”, tha ajo.

Një tjetër donator i rëndësishëm ishte edhe Gjermania. Kancelari gjerman, Olaf Scholz premtoi 425 milionë euro ndihmë humanitare dhe ndihmë zhvillimi për Ukrainën. Kësaj i shtohen 70 milionë euro ndihmë mjekësore.

Konferenca u organizua nga Komisioni Europian, nga organizata joqeveritare, Global Citizen, dhe qeveria kanadeze. Polonia ka pritur deri tani më shumë se 2,5 milionë nga 4,4 milionë refugjatë që janë detyruar nga zonat e luftimeve në Ukrainë.

 

 

 

 

 

Top Channel